Irani mohon të ketë transportuar raketa në Rusi

1 week ago 33
Reklamë

Një komandant i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit mohoi raportet se Teherani po transferon raketa në Rusi, raportuan mediat iraniane të hënën, mes shqetësimeve në Perëndim se ato mund të përdoren në luftën në Ukrainë.

Mediat ndërkombëtare raportuan javën e kaluar, duke cituar burime të paidentifikuara, se Irani kishte transferuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi.

“Lufta psikologjike”

Gjeneral brigade Fazlolah Nozari, zëvendës komandanti i shtabit të Khatam al-Anbia, citohet të ketë thënë nga Agjencia Iraniane e Lajmeve: “Asnjë raketë nuk u dërgua në Rusi dhe ky pretendim është një lloj lufte psikologjike”.”Irani nuk mbështet asnjë nga palët në konfliktin Ukrainë-Rusi,” theksoi ai.

Kremlini, nga ana e tij, njoftoi të hënën se Irani është partner i Rusisë dhe se të dy vendet po zhvillojnë një dialog në të gjitha fushat.

Kievi njoftoi javën e kaluar se thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Teheranit dhe Moskës përbën një kërcënim për Ukrainën, Evropën dhe Lindjen e Mesme dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë presionin ndaj Iranit dhe Rusisë.

Çdo transferim iranian i raketave balistike në Rusi do të sinjalizonte një përshkallëzim të mprehtë në luftën në Ukrainë, thanë Shtetet e Bashkuara të premten./vizionplus.tv

Read Entire Article