Ermir Sahiti sulmuesi i Kosovës i cili dikur mbronte ngjyrat kuqezi gjatë kohës që luante me shpresat ka bërë lëvizjen e tij të madhe në karrierë.
Sahiti ka firmosur me klubin e njohur gjerman, Hamburgun. Ka qenë skuadra e Hamburgut që ka folur për këtë transferim.
“Ne kemi transferuar Emir Sahitin nga Hajduk Spliti në një marrëveshje afatgjatë”, thuhej shkurtimisht në postimin e Hamburgut në Facebook.
Ndërkohë një prononcim të shkurtër e dha edhe Sahiti pas kompletimit të transferimit të tij në Gjermani.
“Hamburgu është një ekip i madh me tifozë të mrekullueshëm. Mezi po pres që të futem në fushë dhe të jap maksimumin”, ka thënë Sahiti.
Sezonin që lamë pas Sahiti u aktivizua në 32 ndeshje me Hajduk Splitin duke arritur që të shënojë katër gola dhe të asistojë në katër të tjerë.
Sa i përket sezonit aktual, ai numëronte katër paraqitje me fanellën e klubit kroat, por që ende nuk e kishte gjetur rrugën e rrjetës.
Në total ai kishte zhvilluar 121 ndeshje për ekipin e parë, duke arritur që të shënojë 18 gola dhe të asistojë në 16 të tjerë, teksa ka fituar dy herë Kupën e Kroacisë.