Ditën e djeshme, 5 korrik, u hap për qarkullim tuneli i Llogarasë. Ky aks pritet që të lehtësojë ndjeshëm trafikun drejt jugut të Shqipërisë.
Tuneli me gjatësi 6 kilometra shkurton distancën nga Dukati në Palasë, nga 30 minuta në 7 minuta. Ndërkohë, nga Vlora në Palasë rruga që dikur bëhej për 1 orë do të bëhet 20 minuta.
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka ndarë në Facebook përshtypjet e para të qytetarëve që kanë përshkruar tunelin. Ata shprehen të kënaqur dhe vlerësojnë punën e bërë.
“Tuneli më i mirë në gjithë Evropën. Kam shëtitur në gjithë Evropën po si ky lloj tuneli nuk kemi parë. Bravo kryeministri.”
“Shumë rrugë e mirë, me standarde! Ne jetojmë këtu dhe do ta kemi shumë të lehtë tani.”
“Kjo ishte një ëndërr e bukur për ne shqiptarët. Ishte një vepër e madhe. Ta gëzojnë shqiptarët kudo që janë dhe të huajt bashkë me ne.”
“Shkurton distancën, ul kohën dhe është fantastike.”
“Shyqyr që erdhi kjo ditë, ta gëzojmë se kemi vuajtur gjithë jetën. Bravo Edi Rama.”
Kryeministri Edi Rama, ka thënë se ky tunel do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut. Përgjatë muajve të verës, tuneli do të aksesohet pa pagesë.
Aktualisht, edhe për të lehtësuar trafikun në sezonin turistik dhe udhëtimin e turistëve drejt jugut, është hapur vetëm njëri krah i tunelit. Pas mbylljes së sezonit turistik do të nisë puna për krahun tjetër dhe pritet që në vitin 2025 qarkullimi do jetë i hapur në të dyja krahët. /vizionplus.tv