Qentë e policisë në Ekuador kanë gjetur 6.23 ton kokainë të fshehur në një kontejner me banane.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, mësohet se janë sekuestruar 5630 pako të mbushura me kokainë.
Dërgesa ishte e destinuar për në Gjermani, thanë zyrtarët, dhe do të kishte arrinte vlerë n224 milion dollarë (173 milion £) nëse do të arrinte destinacionin e saj.
Ndërkohë, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm, lidhur me këtë zbulim janë vënë në pranga pesë persona.
Policia tha se kishte gjetur sasinë masive të kokainës gjatë një inspektimi rutinë të kontejnerit të ruajtur në portin Posorja në jug-perëndim të qytetit më të madh të Ekuadorit, Guayaquil, të fshehura nën arka me banane.
Një nga të arrestuarit ishte një përfaqësues i kompanisë përgjegjëse për eksportin e bananeve, për të cilin prokurorët thanë se kishte qenë i pranishëm në inspektim dhe u dha zyrtarëve emrat e katër të dyshuarve të tjerë.
Mes tyre janë drejtuesit e plantacionit të bananeve ku dyshohet se kokaina i është shtuar ngarkesës së frutave, si dhe shoferi që çoi kontejnerin në port.
Ekuadori është bërë një vend kryesor tranziti për kokainën e prodhuar në Perunë dhe Kolumbinë fqinje, me bandat kriminale transnacionale që përdorin portet e Ekuadorit për të transportuar drogën në Evropë dhe SHBA.
Vitin e kaluar, forcat e sigurisë ekuadoriane kapën më shumë se 200 ton drogë, shumica e të cilave kokainë. Vetëm SHBA dhe Kolumbia kapën më shumë drogë në 2023.
Bandat kanë shkaktuar një valë krimesh të dhunshme në Ekuador, duke bërë që presidenti Daniel Noboa të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të vendosë dhjetëra mijëra oficerë policie dhe ushtarë në përpjekje për t’i luftuar ata.
Këto forca sigurie kanë ndaluar dërgimin e sasive të mëdha të kokainës në Evropë. Në janar, oficerët gjetën sasinë më të madhe të sekuestruar ndonjëherë në Ekuador, 22 ton kokainë, të varrosur në një fermë derrash.
Megjithatë, zhvatjet, rrëmbimet dhe vrasjet mbeten të larta në vendin e Andeve.