Kartën e identitetit tashmë çdo qytetar shqiptar mund ta ketë edhe në celularin e tij. Ky është projekti i ri i ministrisë së Brendshme në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve publike dhe atyre private.
Kjo nisëm bën të mundur që letër njoftimi siç e kemi në formë fizike të jetë edhe në formë digjitale. Pra do të krijojë mundësinë për çdo qytetar shqiptar që mos të ketë nevojën për të pasur kartën e identitetit me vete, por mund ta kenë në formën digjitale në telefonin e tyre, të mbartur kudo dhe të përdorur në hapësirën digjitale. Kjo është një nga nismat e reja që edhe në BE sapo ka nisur që të zbatohet”, thotë sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Besmir Beja.
Do të jetë një aplikacion i ri në celular që do të ofrojë këtë shërbim. Aplikacioni do të krijohet nga Identitek ku do të ruhen të gjitha të dhënat private të qytetarit.
“Aplikacioni mundëson komunikimin e të dhënave me një ofrues shërbimi të besuar që në këtë rast është Identitek, shoqëria që prodhon edhe letër njoftimet dhe siguron që të vërtetojë që personi që ka këtë aplikacion është vërtetë personi, të dhënat e të cilit ruhen në Identitek. Kjo siguron vërtetësinë e identitetit, siguron shmangien e çdo lloj keqpërdorimi të identitetit”, thotë Beja.
Po ku do të përdoret letërnjoftimi digjital?
“Ky letër njoftim mund të përdoret elektronikisht në certifikimin e shtetasve shqiptarë ose në vërtetimin e identitetit të shtetasve shqiptarë edhe në hapësirën digjitale. Mund të përdoret me marrjen e shërbimit në banka, mund të përdoret edhe me marrjen e shërbimeve publike edhe nga shtetit shqiptar”, bën me dije ai
Beja shton se do të jetë në dorë të qytetarit i cili do të zgjedhë formën sesi do të marrë letër njoftimin.
“Do i krijohet mundësia shqiptarëve për të zgjedhur, pra nuk do te kenë detyrimin për të zgjedhur njërën nga të dy format, por në varësi nga forma që do të jetë më e lehtë për të marrë shërbime publike apo dhe private të mund të zgjedhin edhe letërnjoftimin e tyre. Psh. Një kategori e caktuar mund të dojë përdorimin e kartës së identitetit fizike, pra është e mjaftueshme për ata. Por, ndërkohë një grup të rinj që mund të kenë më shumë qasje drejt teknologjisë mund të përdorin letërnjoftimin digjital dhe do të kenë të drejtën për të përdorur dhe për të përfituar shërbime publike në rrugë digjitale”, tha Beja më tej.
Edhe karta e identitetit digjitale do të ketë një kosto të ulët, e ngjashme me letër njoftimin fizik. Aktualisht projektligji është në fazën e diskutimeve ku pas miratimit pritet që të kalojë në Kuvend për votim. /vizionplus.tv