Të paktën katër persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke, njoftuan autoritetet të enjten.
Ministri i Brendshëm, Vit Rakusan tha se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje vonë në qytetin Pardubice – rreth 100 kilometra në lindje të Pragës.
Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet.
Rakusan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.
Ministri i Transportit, Martin Kupka tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.
“Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit”, tha Kupka.
Shkaku i aksidentit aktualisht po hetohet.
Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën “për shkak të shkallës së aksidentit”.
Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 pasagjerë ishin në trenin me shpejtësi të lartë që po shkonte për në qytetin e Kosice, në Sllovakinë lindore.
Të vdekurit nuk janë identifikuan ende. Drejtuesit e të dy motorëve mbijetuan, tha agjencia çeke e lajmeve.
Pas aksidentit, shtatëmbëdhjetë persona u pranuan në departamentin e urgjencës të spitalit Pardubice.
Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve.