Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka njoftuar se një ndërhyrje kirurgjiale me kompleksitet të lartë është realizuar ndaj një pacienteje 55-vjeçare nga personeli i Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Rajonal Memorial Fier.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Koçiu ka falënderuar stafin për ndërhyrjen e kryer.
“Një ndërhyrje e kompleksitetit të lartë është realizuar nga personeli i Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Rajonal Memorial Fier, tek një paciente 55-vjeçare. Falë bashkëpunimit mes shërbimit ambulator dhe kirurgjisë së përgjithshme, u krye me sukses ndërhyrja kirurgjikale, ku u realizua Pannikulektomia dhe korrigjimi i laparocelës, në një ndërhyrje të vetme kirurgjikale. Mirënjohje të sinqertë ekipit të mjekëve: kirurgëve dr. Alti Haxhiu dhe dr. Mario Shehu, si dhe personelit infermieror që asistuan gjatë ndërhyrjes, Xhesi Hoxha, Migena Danaj, Gamze Celik dhe Edmira Narkoziaj”, u shpreh Koçiu në postimin në rrjete sociale.