Ernest Koliqi u rikthye në shtëpi! Personaliteti i njohur i letërsisë dhe kulturës shqiptare, 49 vjet pasi ndërroi jetë në Itali, mbërriti në vendlindje, në Shkodër, përmes bibliotekës personale që iu dhurua Bibliotekës së qytetit.
“1500 njësi bibliografie që përmbledhin pjesën e albanologjisë, studimet e përgjithshme dhe ato ballkanike të Koliqit”, tha studiuesi, Ardian Ndreca.
Për të tilla personalitete gjithmonë jemi në borxh ndaj tyre për të bërë më shumë thotë prof. Ndreca, i cili shton se Shkodra si qyteti që Koliqi e deshi aq shumë, duhet dhe mund të bëjë më shumë për këto figura të mëdha të kombit.
Ernest Koliqi së bashku me Kutelin, cilësohet si themelues i tregimit modern shqiptar me përmbledhjet: Hija e Maleve, Tregtar Flamujsh, Pasqyrat e Narçizit.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939 u emërua ministër i Arsimit, ndërsa më 1942 u caktua Kryetar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist, legjislativi i kohës së pushtimit.
Ai drejtoi katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në kryeqytetin italian, mbi bazën e së cilës pas vitit 1957 u ngrit Instituti i Studimeve Shqiptare./vizionplus.tv/