Integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi i bllokut do të jenë në krye të axhendës së komisionit të ardhshëm europian.
Presidentja e zgjedhur tashmë për një mandat të dytë, Ursula Von Der Leyen theksoi rëndësinë e këtij procesi ndërsa njoftoi emërimin e një komsioneri të posaçëm që do të angazhohet për procesin e zgjerimit me vendet e rajonit.
Lexo edhe :
Related Posts
“Më lejoni të jem shumë e qartë. Duam që puna jonë të përshpejtohet edhe më tepër. Zgjerimi duhet të jetë një punë me kohë të plotë e me vëmendje të pandërprerë. Për këtë arsye unë do të emëroj një komisioner të përkushtuar për zgjerimin. Le të shkruajmë historinë së bashku”, tha Von Der Leyen.
Lajmin, Von Der Leyen e bëri nga Forumi strategjik i Bled që po mbahet në Slloveni, përpara panelit të diskutimit, pjesë e të cilit ishin kryeminsitri Edi Rama, së bashku me kryeministrat nga Sllovenia, Kroacia dhe Serbia.
Kryeminstri Rama përshëndeti propozimin e presidentes Von Der Leyen.
“U ndjeva i inkurajuar, sepse më në fund dëgjova dikë të thotë atë që e kam thënë e përësëritur që prej ditës së parë. Ishte punë e zellshme e Putinit. Atij iu desh të pushtonte një vend për të ndihmuar BE-në të kuptojë që po jeton në një botë paralele. Një vit më parë, këtu në Bled, von der Leyen, premtoi planin e ri të rritjes që tani është vënë në rrugën e duhur. Duhet të bëjmë të gjithë punën për të qenë të gatshëm për të hyrë në BE”, tha kreu i qeverisë.
Në çështjen e dytë, ku u diskutua për pushtimin e paprovokuar rus, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria qëndron tërësisht në krah të Ukraiëns.
“Për një arsye shumë të thjeshtë sepse duket surreale, jashtë realitetit që në kohët tona një vend në Europë të mund të ndryshojë kufijtë në mënyrë mizore, me forcë duke marrë atë çka pretendon që është copë apo pjesë e saj, kjo është krejt e pamundur për ta menduar”, tha Rama.
Gjatë diskutimeve Rama u ndal edhe te dëmi i madh që mediat sociale po i shkaktojnë shoqërisë. Ai theksoi se bota sot i ka dhënë rusëve, iranianëve dhe gjithë vendeve që janë kundër demokracisë një armë të madhe që është falas, rrjetet sociale, duke rrezikuar në këtë mënyrë të ardhmen e fëmijëve dhe të të njerëzimit.