Kongresmeni amerikan reagon ndaj Vuçiçit: Historia është në anën e pavarësisë së Kosovës. SHBA, miku i saj më i madh

1 month ago 35

Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili doli në një konferencë për mediat nga Beigradit duke vendosur një dialog me kushte ndaj Kosovës.

Sipas kongresmenit, Serbia po kërkon që Kosova të dorëzojë sovranitetin e saj dhe të kthehet në “status quo ante”.

Ai nënvizon se nuk do të ketë një rikthim të tillë pasi Kosova është një vend i pavarur dhe do të mbetet kështu në përjetësi e ndihmuar nga miku i saj, SHBA-të.

Kosova është një vend i pavarur dhe do të mbetet e tillë në përjetësi, e ndihmuar nga miku i saj më i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Historia është në anën e pavarësisë së Kosovës. Aleksandër Vuçiq është në anën e gabuar të historisë”, shkruan Torres në ‘X’.

Ndërkaq, ditën e djeshme sipas një dokumenti që iu shpërnda mediave para nisjes së fjalimit të presidentit serb, Serbia kërkon “heqjen e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç theksohet, ky është “parakusht i domosdoshëm për një përparim të kuptimshëm” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas dokumentit, Beogradi do të nisë, “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave.

Kërkesat e Serbisë

Sipas dokumentit, Serbia kërkon:

  1. shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
  2. kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
  3. tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
  4. tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
  5. formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
  6. zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

Përveç këtyre kërkesave, në dokument përmendet se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të “shpallur krahinën autonome të Kosovës si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.

Mes tjerash përmendet që “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët” në Kosovë.

Pak para konferencës për shtyp të Vuçiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Serbia, në vend që të pendohet për krimet që ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka vendosur të përsërisë kërcënime dhe ultimatume ndaj Kosovës, në koordinim me Rusinë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovë është “tejet dëshpëruese”, por që Kosova nuk trembet nga kërcënimet.

“Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”, shkroi dje Kurti mes të tjerash.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

/a.r

Read Entire Article