Kosova me nëntë sportistë në Lojërat Olimpike Verore Paris 2024

4 months ago 26

Kosova do të përfaqësohet nga nëntë atletë në katër sporte të ndryshme në Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024, të cilat do të mbahen prej 26 Korrikut deri më 11 Gusht në kryeqytetin francez.

Ekipi olimpik i Kosovës mbizotërohet nga sporti i xhudos si zakonisht, pasi pesë xhudistë janë pjesë e ekipit, njoftoi Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Listës i prijnë kampionet olimpike, xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, pastaj tre xhudistët tjerë, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.

Kjo është Olimpiada e tretë radhazi që Kosova synon të fitojë medalje të artë, pas debutimit historik të Majlinda Kelmendit në Rio 2016 në Brazil, kur u shpall kampione olimpike dhe medaljeve të arta të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës në Tokio 2020.

Krasniqi, bashkë me Kelmendin dhe Nora Gjakovën, janë atletet e vetme, qoftë në sportin e grave apo burrave, që kanë fituar medalje të arta olimpike në historinë e sportit kosovar.

Sportistët e tjerë që do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris janë, Donjeta Sadiku në bosk, Gresa Bakraqi në atletikë, dhe Hana Beiqi dhe Adell Saboviq në not.

Që të gjithë xhudistët dhe Sadiku nga boksi e siguruan pjesëmarrjen pasi përmbushën normën olimpike, ndërsa tre sportistët e tjerë morën ftesë.

Hana Beiqi, 14-vjeçare nga Prishtina, ka katër vjet që përgatitet për pjesëmarrjen debutuese në Lojërat Olimpike. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë vite më parë se ëndërronte pjesëmarrjen në Olimpiadë.

Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil./REL

Read Entire Article