Kujtohet masakra e Srebrenicës, serbët vranë mbi 8 mijë burra e djem boshnjakë muslimanë

3 months ago 26

Sot, më 11 korrik, është përkujtuar 29 vjetori i genocidit të Srebrenicës në Bosnje Herzegovinë.

Ky është përvjetori i parë që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi  një  rezolutë që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të masakrës të Srebrenicës.

Në ceremoninë e përkujtimit ishin të pranishëm shumë zyrtarë vendas e të huaj.

“Është e domosdoshme që shoqëria të refuzojë çdo formë të minimizimit të gjenocidit në Srbrenicë dhe kjo është detyrë e të gjithëve ne. Ne kemi nevojë për përpjekje shtesë këtu”, tha Christian Schmidt, përfaqësues i lartë në Bosnjë  Herzegovinë.

Në qendrën  Përkujtimore të Potocarit u mblodhën  familjarë të viktimave të cilët shprehën dhimbjen për humbjen e njerëzve të afërt.

“Imagjinoni se keni një familje të tërë dhe i humbisni  ata në një ditë…..Isha vetem  19 vjeç. Kete dhimbje nuk e kupton dot askush që nuk e ka përjetuar”, tha Jasna Tuholjkiq, familjare e një prej viktimave.

“Është një histori e gjatë. Unë mbijetova  për shkak të pakujdesisë së ushtarëve serbë. Ata refuzuan të kontrollonin nëse të gjithë ishin vrarë. Unë u plagosa. Arrita të largohesha dhe të zvarritesha nga vendi i krimit”, shtoi Nedžad Avdić, i mbijetuar nga masakra e Srabrenicës.

“Gjatë një prite, unë dhe vëllai im qëndruam gjithë natën vetëm dhe nuk e kam parë babanë që atëherë. Në agim, kur filluam të iknim, u ndamë dhe nuk e pashë më vëllanë”, u shpreh Mirza Bashiq, i mbijetuar nga masakra e Srabrenicës.

Në korrik të vitit  1995, ushtria serbe e Bosnjës pushtoi Srebrenicën, e shpallur më parë një zonë e sigurt, duke vrarë brutalisht mijëra burra dhe adoleshentë muslimanë.

Pjesa e mbetur e popullsisë boshnjake e pranishme në Srebrenicë, rreth 25,000 gra, fëmijë dhe të moshuar, u transferuan me forcë jashtë enklavës. Kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që nga Holokausti.

Genocidi la plagë të thella emocionale te të mbijetuarit, familjet e viktimave dhe shoqërinë boshnjake, duke krijuar pengesa të qëndrueshme për pajtimin midis grupeve të ndryshme etnike të vendit./vizionplus.tv

Read Entire Article