Kushtetuesja për komisionet hetimore, pranohen pjesërisht pretendimet e Partisë Demokratike

4 months ago 25

Partia Demokratike fitoi pjesërisht në Gjykatën Kushtetuese betejën kundër mazhorancës për ligjin e ri të komisioneve hetimore. Gjyqtarët kanë pranuar dy prej kërkesave kryesore të PD që lidhen me marrjen e provave dhe zhvillimin e mbledhjeve të hapura për publikun.

Sipas Gjykatës Kushtetuese “vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren.”

Në këtë mënyrë Gjykata rrëzon nenin që sanksionte që duhej vota e shumicës së anëtarëve të komisionit, de facto vota e partisë në pushtet për çdo provë apo dëshmitar të ri. Gjithashtu Gjykata rrëzon nenin qe zgjeroi hapësiren për zhvillimin e mbledhjeve pa praninë e publikut.

“Gjykata arriti në përfundimin se, si rregull, veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim, ” theksohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përplasja mes opozitës dhe PS për komisionet hetimore nisi në vjeshtën e vitit teë kaluar. Mazhoranca në këtë legjislaturë refuzoi 8 kërkesa të PD për ngritjen e komisioneve hetimore edhe pse Kushtetuta saktëson se Kuvendi e ka detyrim të ngrejë komisionin nëse e kërkojnë 35 deputetë të kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë situatë çështja e komisioneve hetimore ishte një prej 3 kërkesave për të cilat opozita bllokoi punimet e parlamentit prej tetorit deri në muajin mars.

Por ndërsa opozita zhvillonte aksionin e mosbindjes civile në parlament, mazhoranca në 21 dhjetorin e 2023 ndryshoi ligjin për komisionet hetimore duke vendosur disa rregulla të reja që kufizojnë hapësirën e opozitës.

Opozita i bëri asokohe apel Presidentit të Republikës të mos e dekretojë ligjin. Por kreu i shtetit Begaj edhe pse vuri në dukje se ligji përbën regres, firmosi hyrjen në fuqi të ligjit.

Tashme që PD fitoi betejën në Gjykatën Kushtetuese ligji për komisionet hetimore duhet të ndryshojë përsëri./vizionplus.tv

Read Entire Article