Qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë me regjim të lehtësuar lëvizje në dy krahët e kufirit, përmes pikave kufitare që lidhin dy vendet, në zonën e Tropojës e Gjakovës.
Përfitues janë jo vetëm këta qytetarë, por edhe turistë që vizitojnë dy shtetet. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla dhe homologu i tij Xhelal Sveçla ishin sot në Pikën Kufitare Qafë Morinë, ku nënshkruan Protokollin e implementimit në pikat e përbashkëta doganore.
“Moduli i sistemit të kamerave bën filmimin, leximin e targës dhe targa e automjetit kalon, ngarkohet në sistem, kjo ndiqet për ta sqaruar, vetëm për automjete me numra, me targa të Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Për të tjerat vazhdon pjesa e kontrollit që kemi pasur dhe mos harroni asnjëherë që gjëja e rëndësishme në gjithë këtë proces është njehsimi, pra pikat e përbashkëta të kontrollit. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme mes dy qeverive tona”, tha ministri Balla.
Protokolli do të vihet në zbatim në pikat e kontrollit të përbashkët kufitar, në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar si Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec/Krushevë, Borje/Glloboçicë dhe Orgjost/Orçush. Në fund, Balla ftoi qytetarët në dy krahët e kufirit, për të rritur sa më shumë prurjet e asaj që e konsideron, turizëm patriotik./vizionplus.tv