Me afrimin e Lojërave Olimpike që mbahen këtë sezon veror në Paris po vijnë paralajmërime të reja për sulme të mundshme, përfshirë gjasat për komplote të shtuara terroriste, sikur ai që u zbulua javën e kaluar nga autoritetet franceze.
Një raport i publikuar të martën nga kompania për siguri kibernetike ‘Recorded Future’ thotë se pavarësisht mundësisë së lartë për sulme kibernetike, rreziku më i madh gjatë Lojërave të Parisit do të vijë nga kërcënimet fizike dhe jo nga hapësira kibernetike.
“Ne vlerësojmë që kërcënimet fizike të sigurisë – përfshirë terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm, trazirat civile dhe protestat përçarëse – paraqesin rrezikun më të madh”, thuhet në raportin e atij që njihet si grupi Insikt, i kësaj kompanie.
“Terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm – sidomos mbështetësit e Shtetit Islamik dhe al-Qaida-s në Francë dhe shtetet fqinje evropiane – me siguri do të vazhdojnë të planifikojnë dhe nxisin sulme të dhunshme ndaj Olimpiadës së Parisit”, shton me tej raporti që sugjeron se “vendosja e një infrastrukturë të shtuar sigurie për këtë ngjarje do ta bënte të pamundur një sulm me viktima të shumta”.
Paralajmërimi nga ky grup vjen ndërkohë që autoritetet franceze njoftuan se kanë penguar të paktën dy plane për sulme terroriste që kishin për shënjestër Lojërat Olimpike.
Në fund të prillit, njësitë e amti-terrorizmit në Francë arrestuan një 16 vjeçar nga qyteti Marignier, pasi kishte njoftuar përmes rrjeteve sociale se po planifikonte të armatosej me eksplozivë të vendosur në trup, e të vetë-hidhej në erë sikurse tha, duke sulmuar një nga vendet ku do të mbahen aktivitete në kuadër të lojërave olimpike.
Ndërkohë javën e kaluar, autoritetet franceze të sigurisë arrestuan një 18 vjeçar dhe e akuzuan atë se po planifikonte një sulm në emër të organizatës terroriste ‘Shtetit Islamik’ ndaj stadiumit Geoffroy-Guichard në Saint-Etienne.
Grupi Insikt gjithashtu paralajmëroi se organizata terroriste ‘Shteti Islamik’ po bën propagandë “duke nxitur përkrahësit e saj të kryejnë sulme terroriste të ngjashme me ato të vitit 2015 në Paris, të cilat përfshinë edhe një sulm vetëvrasës në Stade de France – që është edhe vendi kryesor ku do të mbahen Lojërat verore Olimpike të Parisit në vitin 2024”.
Ndërsa nuk ka prova bindëse se po përgatitet ndonjë sulm i shkallës së gjerë ndaj lojërave olimpike, ky grup terrorist po nxit mbështetësit e saj në Evropën perëndimore të kryejnë sulme duke shfrytëzuar lidhjet e krijuara përmes internetit dhe rrjeteve sociale.
Zyrtarët amerikanë paralajmëruan gjithashtu se grupi nga Afganistani, i lidhur me Shtetin Islamik, i njohur si ‘Shteti Islamik-Khorasan’ apo ‘ISIS-K’, po përpiqet të krijojë një moment të ri krahas sulmeve të përgjakshme në Kerman të Iranit në janar dhe në sallën e koncerteve në Moskë në muajin mars.
“Po shohim që rrjeti i ISIS-it po provon të akomodohet pas një periudhe të trazuar,” paralajmëroi Drejtorja e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Christine Abizaid në një takim sigurie që u mbajt në Doha muajin e kaluar.
“Kjo aftësi e Shtetit Islamik, këtij grupi të shtrirë globalisht, që edhe pa një bazë territoriale depërton në formë virtuale tek rrjeti i vet i përkrahësve, disa prej të cilëve do të kryejnë sulme, është shumë shqetësuese,” tha ajo, duke e quajtur aftësinë e grupit ‘ISIS-K’ për t’u rikuperuar në Afganistan “mbase si aftësinë më të theksuar që kemi parë të rrjetit global të ISIS-it në tre vitet e fundit.”
Ekzistojnë shqetësime që edhe ekstremistë të tjerë, të cilët mund të motivohen nga lufta në Gazë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, grupit militant që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste dhe që ka kontrolluar Gazën që nga viti 2006.
Raporti i publikuar të martën nga grupi Insikt thotë se mundësia e sulmeve ndaj izraelitëve apo amerikanëve për shkak të luftës në Gazë “është shumë e ulët por brenda mundësive.”
Grupet e lidhura me Iranin, përfshirë grupi terrorist Hezbollah që vepron në Liban apo përkrahësit e grupeve të ndryshme terroriste palestineze “ka gjasa t’i konsiderojnë lojërat olimpike në Paris si një mundësi joshëse,” sipas raportit, ndonëse ai thekson se nuk ka identifikuar ndonjë informacion zbulimi që sugjeron se grupe të tilla po përgatiten të ndërmarrin ndonjë veprim.
Kërcënimet kibernetike
Krahas grupeve të ndryshme që mund të bëjnë përpjekje të kryejnë sulme fizike gjatë Lojërave në Paris, grupi Insikt paralajmëron se mundësitë janë të mëdha që hakerët, të cilët mund të jenë duke punuar me sipërmarrje kriminale apo për shtete tjera, të vënë në shënjestër lojërat olimpike.
Kërcënimet kibernetike ndaj lojërave olimpike përfshijnë sulmet kibernetike që mund të kryhen nga grupet e hakerëve aktivistë, spiunazhit kibernetik dhe operacioneve keqdashëse.
“Ka mundësi që Rusia, Kina dhe Irani të shfrytëzojnë lojërat olimpike për të kryer aktivitete spiunazhi gjatë ngjarjes në Paris”, sipas raportit.
“Rrjetet me bazë në Rusi, Iran dhe Azerbajxhan po ashtu ka mundësi se do të punojnë bashkë haptas dhe fshehurazi për të shpërndarë teori kritike ndaj Francës, NATO-s dhe Izraelit”, sipas këtij raporti./voa