Prokuroria e Kukësit ka kërkuar konfiskimin e pasurive të shtetasit Sh.H. i dënuar për shpërndarje lëndë narkotike kokainë në Itali.
Kjo prokurori, më datë 13.01.2020 ka regjistruar referimin pasuror nr. 1, mbi bazën e materialeve referuese të ardhura nga Prokuroria e Krimeve të Renda Tiranë, më datë 14.12.2019, në ngarkim të shtetasit Sh.H. Rezultojnë të dhëna nga Zyra Qendrore Interpol Tirana është i regjistruar me rekorde kriminale në Itali.
Ky shtetas është arrestuar në Itali për shpërndarje lënde narkotike, kokainë. Sipas të dhënave të regjistruara në regjistrin e gjendjes gjyqësore të Republikës së Italisë për shtetasin Sh.H. rezulton se më 06.07.2012 është dënuar për veprën penale “posedim i paligjshëm i lëndëve narkotike”. Sipas këtij vendimi është dënuar me 8 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë, dhe më pas pezullimin me kusht të dënimit sipas nenit 163 të Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi pasuror mbi kërkesën e prokurorit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës vendosi.
- Pranimin e kërkesës.
- Vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros mbi pasuritë e paluajtshme në zotërim të shtetasit Sh.H. mbi:
- Pasuria nr. 33/13+4-1, Vol.7, Fq. 46, me sipërfaqe 78m2, me adresë në lagjen nr.4, të regjistruar në emër të H;
- Pasuria 33/13+4-4, me sipërfaqe 78 m2, në pronësi të shtetasve E.H., R.H dhe Sh. H;
- Automjet “Mercedez Benz”, e regjistruar në pronësi të shtetases F.H.; dhe
- Automjet “Audi A3”, në pronësi të shtetases F.H.
Më datë 15 prill 2024 organi procedues ka paraqitur para gjyqtarit kërkesë për konfiskim pasurie. Çështja ndodhet në gjykim. /vizionplus.tv