Përballë një jetese që po çdo ditë e më shumë po bëhet virtuale, fokusi është ofrimi i sigurisë së shërbimeve online. Në konferencën e zhvilluar në Tiranë për sigurinë kibernetike në Ballkanin perëndimor, zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se çdo shtet po merr masa konkrete në drejtim të rrezikut, por fokusi është që këto masa të merren në mënyrë të përbashkët për të përballuar sulmet e mundshme.
“Krijimi dhe ofrimi i shërbimeve të besueshme dhe të sigurta në mjedisin digjital ndërkufitar për ne është një nga prioritetet qeveritare, prioritetet kombëtare, pasi ashtu siç kemi bërë edhe në fushën ekonomike ku e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një të vetëm, ashtu duhet konsideruar edhe për sa i përket zhvillimeve digjitale dhe është kënaqësi që e gjithë kjo paketë të jetë pjesë e “Growth Plan” për të cilin të gjitha vendet tona po punojnë në mënyrë individuale, por edhe të përbashkët”, tha Balluku.
Sulmet në të cilat u përfshinë shërbimet publike në verën e 2022, ishin një pikë kthese, që qeveria të vendoste në prioritet e saj, sigurinë digjitale. Sipas Ballukut, hapi i parë ishte vlerësimi i punonjësve të këtë fushë.
“Kështu që rishikuam menjëherë mundësinë për të hapur dyert për këto vajza dhe për këto djem dhe për t’i akomoduar ata me shpërblime më të mira dhe për t’i bërë ata që të kuptonin që ishte një mision që i ofronin Shqipërisë, që i ofronin kombit, mbrojtja kibernetike”, shtoi Balluku.
Agjencia që merret me sigurinë digjitale, e njohur me emrin “AKCESK”, ka ngritur qendër të posaçme e cila monitoron 24 orë në 7 ditë të javës një sërë infrastrukturash kritike, si një vigjilencë e shtuar ndaj rrezikut kibernetik./vizionplus.tv