Mediat amerikane: Presidenti Biden, urdhër ekzekutiv për të ulur numrin e azilkërkuesve në kufirin me Meksikën

5 months ago 23

Mediat amerikane njoftuan se Presidenti Joe Biden pritet të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv që do të kufizojë ndjeshëm numrin e personave që kërkojnë azil në kufirin SHBA-Meksikë.

Sipas zyrtarëve të administratës, me nënshkrimin e këtij urdhri, kufiri do të mbyllej menjëherë, sapo mesatarja e hyrjeve ditore në pikat kufitare, të arrinte në 2,500 vetë. AkTualisht ky numër është shumë më i madh.

Presidenti do të nxjerrë urdhrin ekzekutiv bazuar në nenin në atë që njohet si ‘212 pika f’ e ligjit të miratuar para 72 vjetësh mbi Imigracionin dhe Shtetësinë, i cili i jep presidentit kompetenca të gjerë për të bllokuar hyrjen në vend të imigrantëve, pavarësisht nga lloji i vizave, kur një gjë e tillë besohet se “mbron interesat e Shteteve të Bashkuara”.

Ish-Presidenti Donald Trump u mbështet tek ky nen për disa nga veprimet e tij më të ashpra mbi imigracionin, përfshirë të ashtuquajturin “ndalimi i myslimanëve”, kur ai ndaloi hyrjen në SHBA, të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane, apo kur zbatoi politikën e “tolerancës zero” për kalimin e paligjshëm të kufirit. Kjo e fundit çoi në ndarjen e mijëra fëmijëve nga prindërit e tyre. Ish-Presidenti Trump ka premtuar se do të rikthejë politikën e vijës së ashpër mbi imigracionin, nëse ai rizgjidhet në nëntor.

Mediat thonë se Presidenti Biden po i ndërmerr këto masa pas refuzimit në muajin shkurt të një projektligji dypartiak mbi sigurinë e kufirit nga shumica e republikanëve në Senat e disa demokratë. Edhe zoti Trump e kundërshtoi hapur projekligjin.

Disa kryebashkiakë të qyteteve pranë kufirit me Meksikën janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv./voa

Read Entire Article