Mesazhi nga Berlini – zgjedhjet në Serbi duhet të hetohen!
8 months ago
28
Reklamë
Vëzhguesit e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Serbi kërkuan në seancën e Komitetit Evropian të Bundestagut gjerman një hetim gjithëpërfshirës për manipulimet e supozuara zgjedhore.
Është në interesin gjerman dhe evropian që “mashtrimi masiv zgjedhor” të hetohet nga një mision i pavarur vëzhgues ndërkombëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), deklaroi Viola von Kramon, deputete e të Gjelbërve në BE. Pas seancës së Komisionit të Bundestagut, ajo mori pjesë dhe në debatin për Serbinë në Parlamentin Evropian.
Deputeti i të Gjelbërve në Bundestag, Boris Mijatoviq, i cili ishte edhe vëzhgues në zgjedhjet në Serbi, i raportoi Komitetit të Parlamentit gjerman për sulme ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë. Zgjedhjet i ka cilësuar si “jo të lira dhe jo të ndershme.” Dominimi i presidentit Aleksandar Vuçiqka qenë shumë i madh, thotë Mijatoviq. Në të njëjtën kohë ai thekson se verifikimi i listave zgjedhore është i domosdoshëm, por jo i kryer nga gjyqësori serb. Deputeti i Gjelbër ka kujtuar se misioni ndërkombëtar mund të funksionojë, por vetëm me ftesë të shtetit, në këtë rast të Serbisë.
Linja: “Abuzim sistematik i institucioneve dhe ligjeve”
Para Komisionit të Bundestagut foli edhe Rasha Nedeljkov, drejtor programi i organizatës joqeveritare të Beogradit Crta (Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi). Ai u deklarua pro përsëritjes së zgjedhjeve, por edhe pro ndjekjes penale të shkeljeve të dokumentuara.
Siç thekson shërbimi për shtyp i Bundestagut në raportin nga sesioni i Komitetit Evropian, organizata Crta në analizën e saj paraprake ka konstatuar ndër të tjera se Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet e presidentit Vuçiq ka pasur avantazhe të padrejta. Nedeljkov informoi deputetët se SNS ka marrë 85 për qind më shumë kohë në televizion sesa partitë opozitare.
Ai thotë se mbi votuesit dhe anëtarët e administratës publike është ushtruar presion i madh dhe në Beograd janë sjellë njerëz nga e gjithë Serbia, por edhe nga vendet fqinje për të votuar në zgjedhjet lokale atje. Shumë prej tyre, siç shpjegon ai, u caktuan vendbanime jokorrekte, shpesh edhe inekzistente. Nedeljkov vlerësoi se bëhet fjalë për “keqpërdorim sistematik të institucioneve dhe ligjeve shtetërore” dhe përfundoi: “Nëse do të ishte e mundur të ndryshohej diçka në Serbi përmes zgjedhjeve, zgjedhjet atje do të ishin ndaluar shumë kohë më parë”.
Vala kundër vëzhguesve
Para Komisionit të Parlamentit gjerman foli edhe anëtari i Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPÖ) Andreas Schider, gjithashtu vëzhgues i zgjedhjeve. Ai ka raportuar se pas publikimit të raportit preliminar të vëzhguesve ndërkombëtarë, ai dhe kolegët e tij janë sulmuar masivisht dhe akuzuar se kanë gënjyer. “Ka shpërthyer një valë denigrimi,” tha ai. Për shkak të kësaj, beson Shider, Bashkimi Evropian duhet të rrisë presionin ndaj lidershipit serb dhe nuk duhet të veprojë sikur situata të ishte normale.