Michel fton Zelenskyn të prezantojë “planin e fitores” në samitin e BE-së

1 day ago 15

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel njoftoi sot se ai ka ftuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të paraqitur “planin e tij të fitores” në samitin e BE-së që do të mbahet gjatë kësaj jave.

Zelensky po përpiqet të sigurojë mbështetjen e aleatëve perëndimorë ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë.

Në mediat sociale, Michel tha se ai e ftoi Zelenskyn “në samitin e Këshillit Evropian të enjten, më 17 tetor për të paraqitur planin e tij për fitore”.

Mbështetja ushtarake për Kievin dhe forcimi i sektorit energjetik të Ukrainës janë ndër temat e samitit të liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, i cili do të zhvillohet të enjten në Bruksel.

Javën e kaluar, Zelensky bëri një vizitë të rrufeshme në kryeqytetet evropiane, përkatësisht në Berlin, Londër, Paris dhe Romë, në një kohë kur vendi i tij po përballet me një dimër të tretë lufte mjaft të vështirë.

Vizitat u organizuan në minutën e fundit pasi Presidenti i SHBA Joe Biden shtyu udhëtimin e tij në Gjermani për të mbikëqyrur përgatitjet për uraganin Milton i cili goditi Floridën.

Udhëheqësi ukrainas ka kërkuar të marrë ndihmë të re ushtarake dhe financiare nga aleatët e tij evropianë.

Forcat ruse kanë avancuar në vijën e frontit lindor dhe kanë vënë në shënjestër rrjetin elektrik ndërsa Ukraina po përballet me dimrin e saj më të ashpër që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022./vizionplus.tv

Read Entire Article