Komisioni Hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS mbylli dyert për të tre dëshmitarët që pritej të jepnin deklarimet e tyre.
Në seancë dëshmuan Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe ish- shefi i pezulluar i IT-së së këtij institucioni, Ervin Muça. Ky i fundit u shoqërua nga policia, pasi është vënë në arrest shtëpiak për
për akuzën e “Hyrjes së paautorizuar kompjuterike” pikërisht në këtë sistem.
Shumica socialiste votoi kundër dhënies së dëshimisë me dyer të hapura, ç’ka shkaktoi debat me tone të larta mes kryetarit të komisionit hetimor, Ervin Salianji e nënkryetarit, Toni Goku.
“Nëse doni të bëni cirk, me bashkinë keni marrëdhënie të mira, shkoni aty dhe bëni kllounin. Kush do që mbledhja të bëhet në terr, në errësirë, natën dhe pa vëmendjen e publikut. Duke u përmbledhur në një pikë, mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura? Kush është pro? 8 pro, 6 kundër, mbylleni si lakuriqët e natës?”, tha kryetari i komisionit Ervin Salianji.
Ndërsa, nënkryetari i komisionit, Toni Gogu, i mëshoi kërkesës së paraqitur paraprakisht nga Drejtori I Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku që dëshmia e tij të jepet pa praninë e medias.
“Një mikrofon ke dhe të heq fjalën, imagjino të kesh pushtet sesa viktima do bësh në bulevard? Ti po bën atë që di të bësh më mirë, e mesa duket ke lindur hilenë. Informacioni që ai ka është sensitiv, për punonjësit e policisë, për çështjen që po hetohet penalisht”, tha nënkryetari i komisionit Toni Gogu.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Rrumbullaku.
“Do të mbroj veten, do të dëshmoj i vetëm. Dëshmia ime në raport me objektin e hetimit, përbën sekret. Unë ia kam lënë tagrin komisionit, të vendoset nga ju”, tha drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
I pari që dëshmoi ishte Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i ndjekur nga Rrumbullaku, e në fund i hetuari i Prokurorisë së Tiranës, Ervin Muça, i cili nëse gjendet fajtor për publikimin e të dhënave të sistemit TIMS do të dënohet nga 3 deri në 10 vjet heqje lirie./vizionplus.tv