Përktheu Klodjana Agaj
Zbulimi i fundit i diagnozës së kancerit të Katerinës, Princeshës së Uellsit, e cila është 42 vjeçe, ka lënë shumë vëzhgues të shokuar. Si onkolog mjekësor, jam zemërthyer, por vështirë se jam i befasuar.
Kanceri i hershëm, i cili përkufizohet se ndodh tek të rriturit nën 50 vjeç, nuk është anomali. Në fakt, është pjesë e një tendence globale në rritje, në të cilën pacientët me kancer të sapodiagnostikuar po bëhen më të rinj. Më tej, ky rast zhvlerëson mitin se kanceri prek të moshuarit.
Vetëm gjatë javës së kaluar, pashë një 37-vjeçare me kancer gjiri që kishte metastazuar tashmë në nyjet limfatike, kockat, mushkëritë dhe mëlçinë. Në dhomën ngjitur ishte një 45-vjeçar me kancer të zorrës së trashë, i cili ishte përhapur aq shumë në të gjithë mëlçinë, saqë ishte mbushur dhe zgjeruar me tumoret. Të dy pacientët kishin kancer të fazës IV që potencialisht mund të kontrollohen për një kohë të caktuar, por nuk janë më të shërueshme.
Incidenca globale e kancerit të hershëm u rrit me 79.1% dhe vdekjet nga kanceri i hershëm u rritën me 27.7% nga 1990 në 2019, zbuloi një studim i vitit 2023 në revistën BMJ Oncology. Të dhëna të tjera mbi këtë rritje të publikuara vitin e kaluar në Journal of the American Medical Association treguan se nga viti 2010 deri në 2019 në Shtetet e Bashkuara, kanceri i gjirit përbën numrin më të madh të rasteve në këtë popullatë më të re, ndërsa normat e kancereve gastrointestinale po rriten shpejt.
Kjo rritje shqetësuese e kancereve gastrointestinale kap vetëm implikimet dhe rreziqet që lidhen me vitin e lindjes së një personi. Siç tha Dr. Kimmie Ng, një onkologe mjekësore në Institutin e Kancerit Dana-Farber për Boston Globe vitin e kaluar.
“Njerëzit e lindur në vitin 1990 kanë mbi dyfishin e rrezikut për t’u prekur nga kanceri i zorrës së trashë në krahasim me ata të lindur në vitin 1950. Dhe kanë katërfish rrezik për t’u prekur kanceri i rektumit”, thotë ajo.
Ndërsa këto raste të kancereve të hershëm rriten, ka një urgjencë të shtuar për të identifikuar pse po shpaloset kjo rritje e kancerit tek të rinjtë dhe kush është në rrezik të shtuar. Të paktën një pjesë e përgjigjes duket se gjendet në ndryshimet në të ushqyerit dhe stilin e jetesës që u përhapën në mesin e shekullit të kaluar.
Veçanërisht, rreziqet gjenetike themelore të popullsisë nuk kanë ndryshuar në dekadat e fundit, duke forcuar rastin që mjedisi dhe mënyra e jetesës kanë një rol më të madh në këto kancere sesa gjenet tona. Shkaktarët mund të përfshijnë ushqimet shumë të përpunuara, pijet me sheqer, mishin e kuq, duhanin, alkoolin, ndryshimet e gjumit, obezitetin dhe pasivitetin fizik. Të vetëm dhe veçanërisht në bashkëpunim, këta faktorë mund të ndryshojnë proceset e brendshme të trupit tonë duke prishur metabolizmin dhe duke nxitur inflamacionin.
Përpjekje të mëtejshme kërkimore janë duke u zhvilluar për të shqyrtuar nëse ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve, triliona mikrobe që banojnë brenda nesh, po rrisin cenueshmërinë e trupit tonë ndaj kancerit. Ky komunitet i mikrobeve është një kontribues vendimtar për shëndetin, duke ndikuar në tretjen dhe sistemin imunitar. Dieta e dobët, përdorimi i tepërt i antibiotikëve dhe disa ilaçe mund të shkaktojnë një tronditje në këtë mikrobiomë, e cila më pas mund të luajë një rol në lehtësimin e prekjes nga kanceri.
Për shkak se kanceri është një sëmundje që kuptohet se zhvillohet gjatë dekadave ndërsa ndryshimet në ADN grumbullohen dhe prodhojnë tumore, një person i diagnostikuar në një moshë më të re mund të jetë ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut që foshnjë ose në mitër. Kërkimet janë gjithashtu të fokusuara këtu aktualisht, me studime që shoqërojnë një rrezik më të madh me lindjen cezariane tek femrat dhe një formë sintetike të progesteronit që përdoret për të parandaluar lindjen e parakohshme.
Por siç e kam parë rregullisht në klinikën time të kancerit, vetëm mbipesha dhe mënyra e jetesës nuk mund të përbëjnë të gjithë pacientët e rinj që diagnostikohen. Shumë nga të cilët po trajtoj janë të shëndetshëm, hanë me maturi dhe ushtrohen rregullisht. Dhe kështu shkaku për sëmundjet e tyre mbetet ende përtej fakteve të shkencës.
E vetmja siguri në këtë moment, megjithatë, është se nëndiagnostikimi i këtyre kancereve të hershëm është i përhapur dhe i rëndësishëm. Mjekët e kujdesit parësor duhet të edukohen për praninë në rritje të kancerit tek ata më të rinj se 50 vjeç dhe pse mosha nuk duhet të përdoret për të nënvlerësuar simptomat e pacientit.
Nga ana tjetër, njerëzit nuk duhet të neglizhojnë simptomat e vazhdueshme të çdo lloji dhe të jenë të vetëdijshëm për një histori familjare të kancerit. Shpesh, pacientët e rinj do të duhet të avokojnë në mënyrë agresive për veten e tyre, pasi mund të duhen takime të shumta përpara se të bëhet një diagnozë e kancerit.
Dhe për shkak se kanceret e hershëm shpesh diagnostikohen në faza të avancuara, dikur mendohej se ata ishin biologjikisht të ndryshëm dhe më të dëmshëm se homologët e tyre më të vjetër. Shpesh, këto thjesht gjenden vonë dhe metastazohen për shkak të një vonese në diagnozë dhe jo për shkak të ndonjë cilësie veçanërisht agresive.
Sapo të fillojë trajtimi, veprimet janë gjithashtu të ndryshme për ata në të 20-at, 30-at dhe 40-at e tyre. Ilaçet kundër kancerit mund të shkaktojnë probleme kardiovaskulare dhe kancere dytësore vite pas trajtimit. Pacientrt më të reja mund të jenë shtatzënë në fillim të terapisë ose të shqetësohen për efektet në fertilitet. Më tej, ka shqetësime për dëmtimin afatgjatë kognitiv pas kimioterapisë, veçanërisht kur njerëzit kthehen në punë.
Ky fenomen shqetësues në kujdesin ndaj kancerit do të kërkojë një dyfishim të përpjekjeve tona kolektive për financim, kërkime të mëtejshme, fushata edukimi dhe rishikim të udhëzimeve të shqyrtimit.
Tashmë, shumë nga kjo është në lëvizje. Në një lëvizje të dukshme, Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së, një panel vullnetar ekspertësh në parandalimin e sëmundjeve, tani rekomandon që shqyrtimi i kancerit kolorektal duhet të fillojë në moshën 45 vjeç për njerëzit në rrezik mesatar të sëmundjes.
Edhe pse janë bërë përparime të konsiderueshme në rezultatet e kancerit, përparimi i vërtetë nuk mund të deklarohet nëse grupmosha të caktuara po mbeten në mënyrë shqetësuese pas. Zbulimi publik i Princeshës së Uellsit për kancerin e saj është një kujtesë e punës së mbetur për të bërë. /vizionplus.tv