Mjerimi në Gaza nuk kapërdihet më! Civilët të lodhur nga zhvendosjet, sulmet dhe uria

4 months ago 26

Në Gaza, mjerimi është shndërruar në një kafshatë që nuk po kapërdihet më. Me kushtet e mbijetesës tepër të vështira, thuajse si në mesjetë, civilët, shumica gra dhe fëmijë, po detyrohen që të zhvendosen vazhdimisht. Kjo i ka lodhur tej mase dhe shfaqen të dorëzuar realitetit të një jete çnjerëzore.

“Na kanë zhvendosur aq herë se nuk gjejmë dot një vend për të qëndruar. Asnjë zonë nuk është e sigurtë në Gaza. Deri kur do vazhdojmë kështu? I lutemi vetëm Zotit, pasi kemi ndaluar thirrjet ndaj liderëve arabë për ta ndalur luftën, sepse vetëm Zoti mund ta ndalë atë.”

“Edhe nëse na godasin shtëpitë dhe shkatërrojnë tokën tonë, ne do të qëndrojmë të palëkundur në një copë toke të vogël me minj dhe pa ujë dhe ushqim. Zoti është ai që na ushqen dhe na jep ujë.

Të zhvendosurit në kampin e refugjatëve Deri Al-Balah thonë se sëmundjet dhe infeksionet janë përhapur nga mungesa e ujit të pastër dhe produkteve higjienike.

“Nuk kemi absolutisht asgjë. Nuk kemi para për të blerë ushqim, lerë më një shishe shampo apo sapun.

“Nuk kemi sapun për tu larë. Epidemitë dhe sëmundjet janë përhapur mes njerëzve, madje edhe tek fëmijët. Është një zonë e vogël, nuk mund të jetojnë 2.5 milionë njerëz. Një person që tështin në Deri al-Balah mund të dëgjohet deri në Khan Younis. Sëmundjet përhapen shpejt, por ilaçe nuk ka.”

Mes këtij mjerimi, paqja nuk duket askund në horizont. Çdo ditë bashkë me perëndimin e diellit, shuhen shpresat për ditë më të mira, bashkë me të edhe dhjetëra apo qindra jetë të pafajshme nga sulmet izraelite.

Autoritetet në Gaza raportojnë mbi 37 mijë viktima që nga tetori i kaluar, por Organizata e Kombeve të Bashkuara dyshon se bilanci i viktimave mund të shkojë deri në 186 mijë njerëz të vdekur, përfshirë këtu dhe nga sëmundjet apo uria.

Read Entire Article