Godinat e reja në lagjen “5 Maji” në Tiranë kanë përfunduar dhe shumë shpejt do të hidhet shorti për ndarjen e apartamenteve për 400 familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një inspektimi në godinën 12, vuri theksin te cilësia e lartë e punimeve me infrastrukturë modern.
“Është një ditë e bekuar për të gjithë ata qytetarë të duruar, të mirëkuptueshëm, që kanë pritur për banesat e tyre tek “5 Maji”. Edhe për mua ishte një habi e jashtëzakonshme, nuk e prisja të ishte punuar me cilësi, por ky kompleks i ngjan një zone që as privati nuk e bën dot kaq mirë, me kaq dashuri dhe cilësi,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku e cilësoi si një investim që sjell jetë, duke theksuar se kjo është lagjja e parë në Tiranë, ku hapësira i kushtohet vetëm njerëzve.
“Këtu është konceptuar që të ketë jetë. Parkimet i kemi zbritur poshtë dhe ndoshta kjo do të jetë lagjja e parë në Tiranë, përfshirë hapësirat publike dhe private, ku hapësira lart i dedikohet njerëzve. Qytetet ndërtohen për njerëzit, jo për makinat. Makina është në funksion të njeriut dhe jo njeriu në funksion të makinës. Shkohet jo vetëm në një shtëpi më të mirë, shkohet në një jetë më të mirë në të gjitha dimensionet, edhe në komunitet, edhe në parkim, edhe në siguri”, shtoi Veliaj.
Erjon Veliaj i bëri thirrje opozitës që të mos pengojë punët publike në shërbim të qytetarëve. /vizionplus.tv