Dalin pamjet nga arrestimi i Pjetër Pacanit, në Fier, 61-vjeçari i cili ndodhej në listën e 50-të personave më të kërkuar në vend.
Pacani është dënuar me 25 vjet burgim, për vrasjen e 2 shtetasve, në vitin 2011.
Arrestimi i 61-vjeçarit, lindur dhe banues në Fushë Kuqe, Laç u bë nga Forcat Operacionale në lagjen “1 Maji”, Fier.
Në banesën ku u kap ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba.
Pjetër Paçani akuzohet për vrasjen e shtetasve Ndoc Zymaj dhe Vlash Gjeçi. Shkak i këtij krimi të dyfishtë ka qënë një kontratë huamarje mbi 100 mijë euro, e cila nuk është kthyer sipas kohës së parashikuar në kontratë.
Si pasojë e kësaj ka lindur një konflikt, ku palët janë konfliktuar nëpërmjet mesazheve telefonike dhe bisedave, duke ofenduar njëri-tjetrin. Për pasojë Pjetër Paçani, ka marrë një pistoletë dhe ka shkuar në një lokal ku pinin kafe shtetasin Vlash Gjeçi dhe Ndoc Zymaj.
Sapo ka hyrë në lokal, Paçani ka nxjerrë armën dhe ka pohuar “…mos lëvizni…” dhe ka qëlluar disa herë në distancë të afërt në drejtim të viktimave dhe duke shqiptuar fjalët” “…më shani prap me nënë e motër…”.
Pas kësaj teksa ka dalë nga lokali, i është drejtuar shtetasit Arben Gjokola “…ti mos lëviz…” dhe ka hipur në automjetin tip “Porsche” dhe është larguar pa u arrestuar. Ndërkohë njëri nga viktimat Vlash Gjeçi, teksa ishte ende gjallë ka shqiptuar fjalët “…na preu në besë…”, fakt i cili është shprehur në gjykatë dhe nga dëshmitari Gjokola./vizionplus.tv