Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu miratoi planet për një operacion ushtarak në Rafah në jug të Rripit të Gazës. Në një deklarate të lëshuar nga zyra e tij thuhet se ushtria izraeltite është “e përgatitur për anën operacionale dhe për evakuimin e popullsisë”, por nuk jepen detaje të mëtejshme apo ndonjë afat kohor.
Zëdhënësi i ushtrisë, Arye Shalicar, tha se krerët e Hamasit dyshohet se janë në këtë qytet në kufi me Egjiptin, së bashku me shumë luftëtarë të mbetur nga grupi terrorist islamik.
Politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë u përpoqën t’i mbushnin mendjen Netanjahut që të hiqte dorë nga urdhëri për operacionin e ushtrisë izraelite në Rafah, ku mendohet se strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë që kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës.
Zëdhënësi Shalicar tha se civilët do të evakuohen në vende më të sigurta si kampi al-Mavasi, duke këmbëngulur se: “kjo është ajo që kemi bërë edhe muajt e fundit dhe pikërisht kështu do të veprojmë edhe në rastin e Rafahut”
Megjithatë grupet e ndihmës vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre lidhur me mundësinë e evakuimit të mbi 1 milion refugjatëve.
Gjatë një vizitë në Austri, ministri i Jashtëm amerikan, Antony Blinken, u tha gazetarëve (10.03.) se deri tani ai nuk kishte parë ende ndonjë plan për një operacion ushtarak izraelit në Rafah. Blinken shtoi se çdo plan i tillë duhet të jetë “i qartë dhe i zbatueshëm” dhe të sigurojë që civilët të mos pësojnë dëme. /DW