Shtatë ura, disa prej tyre në vende turistike priten që të ndërtohen si pjesë e një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në një njoftim të fundit në faqen e Agjencisë Kombëtare të Prokurimit u bë me dije se tashmë ishte shpallur fituesi për kontratën me objekt “Ndërhyrje në ndërtimin e urave dhe nyjeve lidhëse Faza II: Ndërtim Ura në Tushemisht Ura në Fshatin Zahrisht, Ura e Cenit, Ura në fshatin Bellovë, Ura në Fshatin Lenie, Ura në fshatin Metoq dhe Ura në rrugën Tamarë-Vukël”.
Fituesi është EUROKOS HOLDING SH.P.K. DEGA NE SHQIPERI që ofroi 176 milionë lekë apo 1.7 milionë euro pa TVSH për ndërhyrjet në këto ura. Referuar dokumenteve FSHZH analizon nevojën për ndërhyrje në secilën zonë.
NË RRUGËN TAMARË-VUKËL, BASHKIA MALËSI E MADHE
Kjo urë është pjesë e segmentit të rrugës që lidh fshatin Tamarë me fshatin Vukël të Njësisë Administrative Kelmend të bashkisë Malësi e Madhe. Duke qenë se kjo zonë ka kapacitete të mëdha turistike, është e nevojshme ndërtimi i kësaj ure për përmirësimin e aksesit dhe rritjen e sigurisë.
URA NË FSHATIN TUSHEMISHT, BASHKIA POGRADEC
Ura e propozuar është pjesë e bulevardit në fshatin Tushemisht të bashkisë Pogradec. Në këtë pozicion ndodhet një urë ekzistuese betonarme me 2 hapësira. Gjenda e saj është e degraduar, me shufra të ekspozuara dhe të korroduara. Duke qenë se kjo zonë ka kapacitete të mëdha turistike, është e nevojshme ndërtimi i kësaj ure për përmirësimin e aksesit dhe rritjen e sigurisë.
URA NË FSHATIN ZAHRISHT, BASHKIA HAS
Një lagje e fshatit Zahrisht dhe një zonë e konsiderueshme bujqësore e këtij fshati nuk është e lidhur me pjesën tjetër të fshatit për shkak të një përroi i cili derdhet në liqenin e Fierzës. Kjo ka bërë të domosdoshme ndërtimin e një ure për lidhjen e këtyre zonave. Ndërtimi i një ure në fshatin Zahrisht do të përmirësonte aksesin për banorët dhe vizitorët e zonës, duke lehtësuar transportin dhe komunikimin në të dy anët e lumit. Kjo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe social të fshatit dhe rajonit përreth.
URA E CENIT, QYTETI LEZHËS
Ura e Cenit është një nga urat kryesore të qytetit të Lezhës dhe ndodhet në pjesën jugore të qytetit. Për shkak të rritjes së trafikut në këtë zonë kjo urë vërehet që është zgjeruar. Pra ura është ndërtim i dy periudhave të ndryshme.
URE NË FSHATIN BELLOVË, BASHKIA DIBËR
Banorët e fshatit Bellovë, i cili ndodhet shumë afër me qytetin e Peshkopisë, kalojnë me automjetet e tyre nëpër shtratin e lumit për tu lidhur me anën tjetër të përroit duke paraqitur rrezikshmëri në rastin e prurjeve të mëdha. Kjo ka bërë të domosdoshme ndërtimin e një ure për lidhjen e këtij fshati me qytetin e Peshkopisë. Ndërtimi i një ure në fshatin Bellovë do të përmirësonte qasjen për banorët dhe vizitorët e zonës, duke lehtësuar transportin dhe komunikimin në të dy anët e lumit. Kjo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe social të fshatit dhe rajonit përreth.
URË NË FSHATIN LENIE, BASHKIA GRAMSH
Nga vizita në terren e vendndodhjes së urës së propozuar në zonën e Qendrës së Lenies vërehet se mungesa e saj rrezikon sigurinë e përdoruesve të kësaj rruge të cilët kalojnë nëpër shtratin e përroit, veçanërisht në periudhat e reshjeve intensive. Ndërtimi i urës do të sigurojë një kalim të sigurt për përdoruesit e kësaj rruge. Ndërtimi i urës do të lehtësojë aksesin në burime natyrore të rëndësishme si pyjet, fushat bujqësore dhe zonat e turizmit natyror. Projektimi paraprak i urës përfshinë elementët e sigurisë për të garantuar kalimin e sigurt të mjeteve dhe këmbësorëve.
URË NË FSHATIN METOQ, BASHKIA SARANDË
Vendndodhja Ura e Metoqit ndodhet në pjesën juglindore të fshatit Metoq dhe lidh fshatin me bizneset dhe tokat bujqësore të zonës.
Për shkak se kjo urë kalon mbi lumin e Bistricës, prurjet e shumta të tij e kane shembur urën ekzistuese dhe përkohësisht ndodhet një urë beli./ Monitor