Parlamenti zhvilloi sot mbledhjen e parë pas pushimeve të veres, një seancë ku secili prej kampeve politike shpjegoi rrugën ku do të zhvillohet aksioni politik i mazhorancës dhe opozitës.
Socialistët përsëritën apelin që opozita të bashkëpunojë në parlament për reformat që i nevojiten vendit për procesin e integrimit. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi ftoi sërish PD të marrë pjesë në komisionin për luftën kundër korrupsionit dhe komisionin kundër dezinformimit, duke premtuar një qasje të re të mazhorancës.
“Me këtë rast unë dua të ndaj me ju dhe poinionin publik, mbase për herë të parë një informacion që i intereson sa parlamentit e sidomos opozitës, po aq edhe opinionit të gjerë, se qeveria shqiptare po punon për të formuluar një ambicie të re për sa i përket transparencës”, tha Peleshi.
Por opozita e ka vendosur të mos marrë pjesë në të dy komisionet e posaçme që lidhen me betejën kundër korrupsionit dhe dezinformimit. Dhe sipas Gazment Bardhit opozita do të vazhdojë në parlament betejën kundër qeverisë.
“Flaka që Edi Rama i ka vënë Shqipërisë do të duhet të marrë fund me votën e shqiptarëve! Ne, si opozita e këtij vendi, kemi detyrimin historik të ndalim të keqen më të madhe që vendi ka patur pas diktaturës”, tha Bardhi.
Ndërsa deputetët ishin në mbledhje, jashtë ambienteve të Kuvendit protestuan banorët e zonës së Thumanës, të cilët kërkojnë të kenë hyrje në autostradë./vizionplus.tv