“Nisi si kontrabandë ilaçesh”, Ulsi Manja flet për skandalin tek Onkologjiku dhe skemën e mikrokredive: I kemi denoncuar, i takon drejtësisë të hetojë

4 months ago 37

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, është ndalur tek skandali në spitalin Onkologjik dhe vetëvrasjen e Pal Trashajt, i cili piu fostoksinë para dyerve të SPAK për shkak të problemeve që kishte me një mikrokredi.

Lidhur me skandalin tek Onkologjiku ku 7 persona janë nën hetim, mes tyre mjeku Edmond Gashi dhe mjekja Alketa Pere, pasi akuzohen se bënin pazar me jetën e pacientëve të sëmurë me kancer, Manja tha se hetimet nisën për kontrabandë ilaçesh. Tani i takon drejtësisë që t’i shkojë deri në fund çështjes.

Manja: Duhet ta dini që rasti tek Onkologjiku është zbardhur tërësisht me hetime proaktive të Prokurorisë dhe sektorit të krimit ekonomik dhe këtu meritat i takojnë atyre. Ka filluar si rast kontrabande ilaçesh dhe falë këtyre hetimeve dhe interesit të madh publik që kishte rasti u finalizua me atë rezultat që është bërë i ditur për opinionin publik. Rasti është në duart e drejtësisë dhe duhet të zbardhet plotësisht sepse nuk na takon ne të bëjmë gjyq publik. Ne e kemi dënuar rastin. Për pjesën e përgjegjësisë penale dhe rrethin e personave të implikuar në këtë ngjarje të shëmtuar, duhet të presim hetimet. Kemi pasur të gjithë vullnetin për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarjeje.

Lidhur me rastin e skemës së mikrokredive, Manja tha se mazhoranca duhet të mbrojë nga njëra anë interesat publike dhe nga ana tjetër sistemin bankar nga sulmet politike.

Manja: Lidhur me rastin e mikrokredive unë kam heshtur dhe do të vazhdoj të hesht sepse mbrojtja e sistemit bankar është çështje e sigurisë kombëtare. Edhe mbrojtja e qytetarëve që kanë marrë kredi në banka apo në institucione të mikrokreditit, bankare apo jo bankare është çështje e rëndësishme që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik. Ndërmjet këtyre dy kolonave ajo që e ndan në mes është ligji. Nuk është vetëm opozita ajo që ka për detyrë të mbrojë interesin publik, por jemi edhe ne mazhoranca që duhet të mbrojmë interesin publik nga njëra anë por edhe sistemin bankar nga sulmet për interesa politike. Unë jam përgjegjës për përmbarimin privat dhe publik që monitorohen nga ministria e Drejtësisë. Më 31 maj 2024, 11 përmbaruesve privatë u është hequr licenca dhe janë në ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës. Ministrisë së Drejtësisë i takon të bashkëpunojë ngushtësisht me hetimin penal për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. Kush nga përmbaruesit privatë shkel ligjin apo konsumon elementë të veprës penale nuk do të hezitojmë që t’i denoncojmë në prokurori. Nuk kemi heshur, por e kemi bërë detyrën.

Më 2 korrik Pal Trasha, 63 vjeça konsumoi fotoksinë te dera e prokurorisë antikorrupsion dhe humbi jetën një ditë më pas spital.

Pal Trashaj është një nga mijëra qytetarët që u zhvatën nga skema e kredive të vogla. Burimet bënë të ditur se vlera e kredisë së parë e parë nga 63-vjeçari ishte 76 mijë lekë, ndërsa më pas borxhi arriti në 408 mijë lekë.

Për pasojë, zyrat përmbarimore kishin vënë nën sekuestro shtëpinë e tij dhe i kishin ngrirë llogaritë bankare, madje edhe pagat e familjarëve.

Në këto kushte ai ishte paraqitur në SPAK për të t’i dhënë zgjidhje situatës.

Në maj të këtij viti Prokuroria njoftoi se përmes krijimit të kësaj skeme mashtrimi kompania “Micro Credit Albania” në bashkëpunim me subjekte të tjera financiare dhe zyrat përmbarimore, blenë borxhin në vlerën e 7.3 milionë euro që i përkisnin afro 4 mijë kreditorëve në një bankë të nivelit të dytë e më pas i detyruan ta shlyenin atë përmes shantazhit./vizionplus.tv

Read Entire Article