Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Rama, i cili në Asamblenë e PS tha se kundërshtarët e tij nuk do të mund të marrin më shumë mandate se në vitin 1997.
Bylykbashi risolli në vëmendje trazirat e atyre viteve, duke nënvizuar se zgjedhjet asokohe u manipuluan nga terrori i bandave kriminale, që sipas PD, solli edhe fitoren e socialistëve.
“OSBE i quajti votimet e 1997 vetëm si “të pranueshme për shkak të rrethanave të rënda” dhe konstatoi se në rreth 70% të vendit, kandidatët e Partisë Demokratike u penguan nga bandat të bënin fushatë.
Votimet e vitit 1997 ku mbretëroi terrori i bandave të Zani Çaushëve të lidhura me Partinë Socialiste, mbi kandidatët, militantët dhe simpatizantët e PD, janë standardi që Kryeministri Edi Rama ofron për shqiptarët për zgjedhjet e vitit 2025.
Zgjedhjeve të ndershme, Edi Rama u vë përballë bandat dhe paratë e tyre kriminale.
Zgjedhjeve me rregulla të barabarta u vë përballë përdorimin masiv e brutal të shtetit, parasë shtetërore për të blerë vota, inspektorateve, policisë, shërbimit informativ dhe administratës së politizuar e të kthyer në rrjet patronazhimi.
Lirisë së zgjedhjes i vë përballë blerjen masive të votës me para të krimit, korrupsionit dhe të buxhetit të shtetit, me favore shtetërore dhe kontroll me patronazhistë.”, tha ai.
Po ashtu, ai theksoi se kjo deklaratë është tregues i qartë i nevojës për qeveri teknike.
“Një qeveri teknike që nuk drejtohet nga Rama dhe që garanton zgjedhje të lira e të ndershme është domosdoshmëri për shqiptarët. Kjo deklaratë e Ramës, pasi ka burgosur liderin e opozitës, është treguesi se ai ka në mendje vetëm bandat për të shkatërruar zgjedhjet dhe për të mposhtur opozitën”, tha ai.
Bylykbashki theksoi se PD do t’i përgjigjet me çdo mjet këtij skenari të kryesocialistit Rama./vizionplus.tv