Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, siç tha ai, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.
Ky reagim i zyrtarit të lartë amerikan vjen pasi më 30 gusht, institucionet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të vendit. Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë.
Lidhur me këtë veprim ka reaguar ashpër Ambasada amerikane në Kosovë, duke thënë se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës pasqyrojnë përkeqësimin e partneritetit mes Uashingtonit dhe Prishtinës.
“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Ambasada amerikane më 30 gusht.
O’Brien tha se deklarata e Ambasadës amerikane në Kosovë e bëri të qartë se SHBA-ja është e shqetësuar “nga veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”.
“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij të konsultohen dhe koordinohen me partnerët ndërkombëtarë dhe të ndalë veprimet që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, shkroi O’Brien në rrjetin social X.
Lidhur me aksionin e autoriteteve të Kosovës në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se i bashkohen Ambasadës amerikane në shprehjen e “shqetësimit dhe zhgënjimit me veprimet e pakoordinuara”.
“Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam heqjen e masave dhe të lëvizim përpara sa i përket integrimit rajonal dhe evropian të Kosovës”, shkroi ai në X.
Ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot, duke shpërndarë në X deklaratën e Ambasadës amerikane, tha se veprimet që kanë ndikim të dëmshëm ndaj anëtarëve të një komuniteti, “në këtë rast ë komunitetit serb, nuk janë të mirëpritura. Veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme”.
Veprimet që ndikojnë te serbët e Kosovës, sipas ambasadorit britanik në Kosovë, Johanthan Hargreaves, kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e Kosovës dhe “partnerët e sigurisë, në kontekstin e një dialogu më të gjerë”.
Hargreaves tha se veprimet në veriun e Kosovës “u kryen pa këtë konsultim dhe rrezikojnë të rrisin tensionet dhe të prekin shtresën më të cenueshme”.
Aksioni në veriun e Kosovës u ndërmor në kohën kur Qeveria në Kosovë veçse po përballet me kritika nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj “të njëanshme dhe të pakoordinuara”, pasi në korrik mbylli disa degë të Postës së Kosovës. Ekzekutivi kosovar po ashtu po synon që të hapë për qarkullim të automjeteve urën kryesore mbi lumin Ibër.
Gjatë aksionit të 30 gushtit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se janë mbyllur Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Po këtë vit, më herët, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë./rel