Babë e bir, Durim dhe Mehmet Meta u lanë në masën arrest në burg nga Gjykata e Durrësit, pasi u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Summer”. 53-vjeçari Durim Meta, baba i 9 të fëmijëve, i kapur me 4 episode shitjeje droge, u la arrest në shtëpi.
Ndërsa i biri Mehmet Meta që mori përsipër posedimin e pistoletës që u gjet në shtëpinë e të atit në çastin e kontrollit, u la arrest në burg, ndonëse në seancë mohoi që arma të ishte e vetja.
Kur u pyet pas arrestimit, në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi, thuhet se Mehmet Meta 23 vjeç deklaroi se armën e kishte gjetur kur mblidhte hekura dhe e kishte fshehur në banesë prej shumë kohësh.
“Shtetasi Mehmet Meta banues në Nishtulla Durrës u arrestua në flagrancë dhe deklaroi se arma është e tij dhe e mban për vetëmbrojtje në banesë pasi ka konflikte me familjen Kalemi, ndërsa kur u pyet si person nën hetim deklaroi se armën e ka gjetur kur mblidhte hekura dhe e kishte fshehur në banesë prej shumë kosh”, shkruhet në dosje.
Gjatë operacionit “Summer”, i cili u zhvillua pas dy muajsh hetime, ranë në pranga 15 persona, ndërsa 3 janë ende në kërkim, për armëmbajtje pa leje dhe drogë.
Sot Gjykata e Durrësit caktoi masat arrest në burg për 4 prej tyre, 7 u lanë në masën arrest shtëpie, kurse 4 detyrim paraqitje.