Sot në mbrëmje opozita do të protestojë në bulevardin dëshmorët e kombit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes socialiste.
Kjo është protesta e parë që Partia Demokratike dhe Sali Berisha zhvillojnë pasi gjykata e apelit u dha vulën dhe logon dhe slogani i tubimit është “të bashkuar në betejë”.
Bashkë me PD në bulevardin dëshmorët e kombit do të jenë aleatët; Ilir Meta, Fatmir Mediu , Agron Duka e Vangjel Dule. Opozita u ka bërë thirrje mbështetësve të saj dhe qytetarëve të bashkohen në këtë proteste; kundër korrupsionit të qeverisë Rama, kundër situatës së vështirë ekonomike, pagave e pensioneve të ulëta, situatës së vështirë në shëndetësi e arsim.
Kërkesat kryesore të opozitës janë krijimi i një qeverie teknike që të organizojë zgjedhjet parlamentare dhe lirimi i kryetarit te PD Sali Berisha.
Sfida kryesore e opozitës sot në orën 20.00 është pjesëmarrja pasi Sali Berisha duhet të tregojë që pas marrjes së vulës dhe logos ka mbështetjen e qytetarëve për të nisur betejën për zgjedhjet elektorale kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës që prej 11 vitesh drejtojnë vendin.
Për këtë arsye mesazhi kryesor është ai që do të përcjellë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili serish do tu flasë protestuesve nga banesa e tij ku ndodhet i izoluar prej 6 muajsh, për shkak të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij për korrupsion ne çështjen e privatizimi të kompleksit Partizani.
Pritet që sonte në protestë Berisha të skicojë rrugën ku do të ecë opozita dhe strategjinë për betejën elektorale me kryeministrin Edi Rama në pranverën e vitit 2025.
Përgjatë këtij viti opozita ka zhvilluar një protestë kundër qeverisë Rama në 20 shkurt dhe 15 tubime kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj./vizionplus.tv