Ish-trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, ka folur për Ardian Ismajlin, për të cilin ka shprehur interes Juventusi.
Panucci deklaroi për “Tuttosport” se ishte ai që e zbuloi mbrojtësin kur ishte në drejtimin e kuqezinjve. Sipas tij, Ismajli është lojtari i duhur për lojën e Juventusit.
“Ismajli është shumë i mirë në 20 metrat e fundit në mbrojtje. Është shumë solid. Kam qenë gjithmonë i bindur në potencialin e tij. Ismajli dhe Ramadani, kanë qenë zbulimet e mia te Shqipëria.
Unë isha krenar te Shqipëria në atë kohë, askush nuk e dinte për ekzistencën e tyre. Ata janë lojtarë të rëndësishëm dhe pëlqehen nga klube të rëndësishme. Ismajli është solid dhe shumë serioz në punën e tij, do të ishte pefekt për stilin e lojës së Juventusit.”, deklaroi Panucci.
Ismajli shihet te Juventusi si zëvendësues i Gelson Bremer, i cili u dëmtua pak ditë më parë dhe ka mbyllur sezonin.