Mbështetja franceze për Ukrainën është në dyshim pasi Marine Le Pen, partia e së cilës duket se do të fitojë raundin e dytë të zgjedhjeve në Francë, ka thënë se do t’i japë fund ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Liderja e partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN) premtoi se një kryeministre nga partia e saj do të pengonte Kievin të përdorte armë me rreze të gjatë të furnizuara nga Franca për të goditur brenda territorit rus, duke bllokuar gjithashtu propozimin e Presidentit Emmanuel Macron për të dërguar ndihmë ushtarake në tokën ukrainase.
“Nëse Emmanuel Macron dëshiron të dërgojë trupa në Ukrainë dhe kryeministri është kundër, atëherë nuk do të dërgohen trupa në Ukrainë”, tha ajo.
Përveç bllokimit të një dislokimi të mundshëm trupash në Ukrainë – e propozuar nga Macron si një mënyrë për të rritur efektivitetin e trainerëve ushtarakë – Le Pen i tha CNNi se leja e Kievit për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Franca brenda Rusisë do të revokohej.
Macron ishte një nga udhëheqësit e parë që lejoi Ukrainën të godiste objektivat brenda Rusisë me armë perëndimore. Kjo i lejoi Kievit të synonte bazat ushtarake ruse, formacionet dhe artilerinë e përdorur për të nisur sulmet në Ukrainë.