Policia e burgjeve ka parandaluar futjen e një droni brenda burgut të Burrelit.
Përmes një njoftimi për mediat policia e burgjeve bën me dije se përpjekjet e fundit për përdorimin e mjeteve fluturuese për qëllime të paligjshme janë neutralizuar në kohë reale.
Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel.
Njoftimi:
Sistemi i burgjeve shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligjzbatuese, ka treguar edhe një herë gadishmërinë dhe efikasitetin e tij të plotë në parandalimin e veprimtarive të paligjshme të grupeve të strukturuara kriminale. Përpjekjet e fundit për përdorimin e mjeteve fluturuese për qëllime të paligjshme janë neutralizuar në kohë reale.
Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel. Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale.
Droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.
Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Po kryhen veprimet e para procedurale, dhe materialet përkatëse do të referohen në prokurorinë respektive.
Në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera inteligjente, po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve jashtë regjimit të burgut.
Sistemi i burgjeve shqiptare mbetet i vendosur në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së institucioneve të tij, duke përmirësuar vazhdimisht masat mbrojtëse dhe teknologjinë për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm.