Pas vizitës në Kiev, Orban do të takohet me Putinin në Moskë

4 months ago 27

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të udhëtojë për në Moskë më 5 korrik, për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, tha një burim nga Qeveria hungareze për Radion Evropa e Lirë.

Vizita e tij në Rusi do të realizohet disa ditë pasi ai u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev.

Gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë, Orban ia paraqiti Zelenskyt një propozim për armëpushim, teksa luftimet mes Rusisë dhe Ukrainë po vazhdojnë për më shumë se dy vjet.

“E pyeta presidentin nëse është e mundur për një pauzë, për një ndërprerje të luftimeve, për vazhdimin e bisedimeve pastaj. Në fund të fundit, një armëpushim do ta garantonte përshpejtimin e ritmit të këtyre negociatave”, tha Orban, gjatë konferencës për media në Kiev.

Vizita e Orbanit në Ukrainë u realizua një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Muajin e kaluar, Putin tha se Rusia është e gatshme të ndalë luftën e saj – e cila besohet se ka vrarë dhe plagosur të paktën 500.000 ushtarë në të dyja palët – vetëm nëse Kievi përmbush disa kushte specifike.

Në mesin e këtyre kushteve përfshihet edhe heqja dorë nga ambicia e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO dhe dhënien e katër rajoneve, pjesërisht të pushtuara, që Rusia pretendon në tërësi, përveç Krimesë.

Ukraina ka refuzuar këto kushte, duke i cilësuar absurde, duke thënë se nëse i pranon, kjo do të nënkuptonte kapitullim për të.

Që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Orban ka spikatur në mesin e udhëheqësve nga Bashkimi Evropian dhe NATO për shkak të hezitimit të tij që të nënshkruajë paketa masive të armëve perëndimore dhe paketa të ndihmës për Ukrainën./rel

Read Entire Article