“Patronazhistët në magjistraturë”, PD: Arben Rakipi të dëshmojë në Komisionin e Ligjeve

4 months ago 24
Reklamë

Opozita në komisionin e ligjeve kërkoi seancë dëgjimore me drejtorin e shkollës së magjistraturës Arben Rakipi për konkursin, rezultatet e të cilit sipas saj janë manipuluar. 11 deputetë të PD kanë firmosur kërkesën ku theksohet se në 8 maj, drejtori Rakipi duhet të sqarojë parlamentin për të gjithë procedurën e ndjekur gjatë testimit për pranimin e studentëve

“Është një ngjarje e rëndë për shkallën e integritetit që ka pasur shkolla e magjistraturës dhe që me ngjarjen e fundit ka cenuar rëndë integritetin e kësaj shkolle”, tha nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi.

“Unë kam vlerësimin maksimal për shkollën e magjistraturës, siç është edhe në çdo raport ndërkombëtar. Ka qenë një nga proceset e rekrutimit nëpërmjet testimeve më model, normalisht çdo proces ka defektet e veta dhe çdo deputet ka të drejtën të informohet”, tha kryetarja e këtij komisioni, Klotilda Bushka.

Ndërkaq nga selia e PD, sekretari për çështjet ligjore Ivi Kaso vuri në dukje se në listën e fituesve nga konkursi i realizuar pak ditë më parë rezultojnë se janë punonjës të administratës ose persona që kanë lidhje me Partinë Socialiste.

“Profilet e bandës me 40 patronazhistë të Ali Babës së pseudodrejtësisë, të hetuara nga mediat këto ditë dëshmojnë qartë se të gjithë personat e shtuar në listën e fituesve punojnë në institucione të administratës ose vijnë direkt nga zyrat e patronazhimit të PS. Juristët e administratës dhe të qeverisë së Ramës gradohen, jo për merita në jurisprudencë por për militancë politike”, tha Kaso.

Opozita i ka bërë apel faktorit ndërkombëtar të reagojnë kundër këtij testimi dhe në mbrojtje të integritetit të shkollës së magjistraturës. /vizionplus.tv

Read Entire Article