Era e fortë ka përkeqësuar situatën nga zjarri në bashkitë Dropull dhe Finiq.
Prej orësh, helikopteri “Cougar”, 21 efektivë të FA, 54 forca zjarrfikëse me 14 mjete zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda, Himara, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Konispoli, po punojnë për izolimin e flakëve.
Në zonat kodrinore ku është përhapur pjesa më e madhe e zjarrit forcat operacionale e kanë të vështirë ndërhyrjen si pasojë e tymit dhe terrenit.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve në fshatrat e përfshirë nga zjarret, të bashkëpunojnë me forcat në terren në rast nevoje, për të evituar çdo rrezik për jetën e tyre.
Fillimisht zjarri ka ardhur nga një vatër e pashuar ende në zonën e Delvinës pasditen e së hënës. Flakët u përhapën në kullotat e Malit të Gjerë duke rrezikuar banesat në fshatrat Frashtan dhe Dropull.
Policia nga ana tjetër ka arrestuar autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan. Në pranga ka rënë Manol Kokolli 58 vjeç, banor i këtij fshati, që akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”./vizionplus.tv