Mësohen detaje të reja nga aksidenti me pasojë vdekjen të ndodhur pasditen e së dielës në zonën e Gjirit të Lalzit, ku një 8-vjeçare nga Sllovakia u përplas nga makina teksa kalonte rrugën.
Gazetari Besmir Pula, bën me dije se vajza 8-vjeçare ka qenë në praninë e prindërve të cilët kishin ndaluar makinën për të bërë blerje në market. Prindërit kanë qëndruar në makinë dhe kanë dërguar vajzën për të bërë blerje.
“Automjeti i drejtuar nga 18-vjeçari ka bërë aksidentimin e fëmijës, që si pasojë e dëmtimeve të marra nuk i ka mbijetuar dot plagëve të marra. Nga sa policia ka pyetur dëshmitarët okularë, fëmija 8-vjeçar në momentin që ka dalë nga makina për në market, ka kaluar rrugën papritmas dhe kjo ka bërë që 18-vjeçari të mos mund të ndalonte, duke sjellë edhe pasojën fatal.
Ndërkohë 18-vjeçarit i është komunikuar masa e arrestit.Burime nga policia bëjnë me dije se 18-vjeçari kishte vetëm pak ditë me patentë, kishte vetëm 4 ditë me patentë. Ndërkohë që testet e alkoolit dhe drogës, në të dyja testet i riu ka rezultuar negativ. Nuk ka qenë as nën efektin e alkoolit dhe të drogës,” tha gazetari Besmir Pula.
Ndaj 18-vjeçarit Genci Gjura që sapo kishte marrë patentën i janë vënë prangat në flagrancë dhe ndaj tij është ngritur akuza ‘Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
“Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin G. Gj., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në segmentin rrugor “Maminas- Gjiri i Lalzit”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen S. S., 8 vjeçe, banuese në Sllovaki, e cila humbi jetën në spital”, bëri me dije Policia.