Policia greke ka vijuar edhe ditën e sotme me kontrollet në burgjet e Janinës, pas skandalit të publikuar pak ditë më parë, ku një shqiptar që ishte edhe kapoja i një bande kriminale festoi në qeli ditëlindjen me kokainë, celular dhe tortë.
Mediat greke bëjnë me dije se së fundmi në burgun e Janinës është gjetur dhe sekuestruar 100 gram kokainë, e cila ishte e ndarë në disa pjesë dhe i përkiste grupit të “shkatërruar” pak ditë më parë.
Lexo edhe :
Related Posts
Gjatë një kontrolli emergjent nga punonjësit e burgut , mesditën e së enjtes, në ambientet e përbashkëta të banjove u gjet një pus kullimi, në të cilin u gjetën fillimisht 100 doza kokainë me peshë totale 48.1 gram.
Në një pikë më të thellë në të njëjtin pus u gjetën edhe 68 doza të tjera kokainë me peshë totale 31.89 gram.
Si funksiononte grupi kriminal në burgjet greke?
Sipas një njoftimi të policisë, mënyra e funksionimit të organizatës ishte si më poshtë: Drejtuesi i organizatës ishte një shqiptar, i burgosur, i cili koordinonte tregtimin dhe trafikun e drogës nga brenda qelisë dhe ishte marrësi përfundimtar i të ardhurave.
Një person tjetër kishte marrë përsipër trafikun e drogës në Korfuz, ndërsa një pjesë të të ardhurave ia kalonte drejtuesit të organizatës.
Punonjësi i policisë dhe një grua e arrestuar ishin ndërmjetës të transaksioneve, duke marrë shumat të cilat ia dorëzonin drejtuesit të organizatës, qoftë në takime të drejtpërdrejta me të brenda burgut, qoftë duke i depozituar në llogarinë e tij individuale nëpërmjet kontabilistit.
Nga hetimet e deritanishme janë evidentuar 7 raste të trafikut të drogës, 39 raste të pastrimit të parave dhe 3 shkelje të konfidencialitetit zyrtar.
Njëkohësisht, për punonjësin e policisë, pjesëtar të organizatës, nga hetimet rezultoi edhe kryerja e rasteve të tjera të shkeljes së konfidencialitetit zyrtar, ryshfetit dhe trafikut të drogës.
Janë gjetur dhe sekuestruar 620782 euro, 18 celularë, sasi të vogla kanabis, grirëse, 8 thika, një shkop, 2 aparate Tazer, 2 granata, 2 karikatorë, 302 fishekë, një orë me vlerë dhe dokumente.
Sendet e konfiskuara do të dërgohen për ekzaminim laboratorik, ndërsa shumat do të dërgohen në Fondin e Depozitave dhe Kredive. Të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë kompetente./vizionplus.tv