Popullariteti i Presidentit Joe Biden ra këtë muaj në nivelin më të ulët në dy vjet, një shenjë shqetësuese përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos.
Sondazhi katër-ditor përfundoi të hënën dhe tregoi se vetëm 36% e amerikanëve miratojnë performancën e Biden si president, nga 38% në prill.
Rezultatet e sondazhit janë një shenjë e keqe për Biden, i cili do të përballet në nëntor me republikanin Donald Trump.
Në mbarë vendin, demokrati Biden shënon pothuajse të njëjtat rezultate si Trump në pyetjen se kë do të zgjidhnin votuesit. Por Trump është përpara në shumë sondazhe në shtetet që ka të ngjarë të vendosin fituesin.
Sondazhi i fundit tregon dobësitë e Bidenit, por disa pika të forta. Gjendja e ekonomisë konsiderohet si një çështje kryesore me 23% të të anketuarve që thonë se është problemi më i rëndësishëm i vendit. Rreth 21% e konsiderojnë ekstremizmin politik dhe 13% emigracionin si një çështje kryesore.
Rreth 40% thanë se Trump kishte një politikë më të mirë për ekonominë (30% për Biden), ndërsa pjesa tjetër thanë se nuk e dinin ose nuk iu përgjigjën pyetjes.
Trump kryeson ndjeshëm në emigracionin, me 42% që favorizojnë qasjen e tij dhe 25% favorizojnë politikën e Biden. Ky i fundit është pak më përpara në menaxhimin e ekstremizmit politik (34% kundrejt 30% të Trump-it).
Kur bëhet fjalë për luftërat e huaja dhe terrorizmin, 36% e shohin Trumpin si më të mirë në trajtimin e tyre, ndërsa 29% preferojnë Biden./vizionplus.tv