Putin takon kryeministrin e Indisë: Vendet tona gëzojnë një partneritet të veçantë strategjik

4 months ago 29

Presidenti rus Vladimir Putin i tha sot kryeministrit indian Narendra Modi se vendet e tyre gëzojnë një partneritet të veçantë strategjik dhe e falënderoi për përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë.

Putin priti Modin në Kremlin për bisedime që kanë të bëjnë me çështjet e furnizimeve ruse të energjisë në Indi dhe forcimin e lidhjeve ekonomike dhe strategjike të dy vendeve.

“Marrëdhëniet tona kanë karakteristikat e një partneriteti strategjik veçanërisht të privilegjuar. Ju falënderoj për vëmendjen tuaj ndaj problemeve më të mprehta, duke përfshirë përpjekjen për të gjetur mënyra për të zgjidhur krizën ukrainase, dhe mbi të gjitha me mjete paqësore, natyrisht”, tha Putin.

Nga ana e tij, Modi e përshkroi si “shumë të dhimbshme” vdekjen e fëmijëve të pafajshëm në luftë, duke iu referuar ankesës së Ukrainës për sulmin e djeshëm nga një raketë ruse që synonte spitalin kryesor të fëmijëve në Kiev.

Përveç kësaj, Modi i tha Putinit se një zgjidhje për luftën në Ukrainë “nuk mund të gjendet në fushën e betejës, ne duhet të gjejmë paqen përmes bisedimeve”.

Rusia ka qenë për dekada furnizuesi më i madh i armëve në Indi, dhe Nju Delhi dhe Moska kanë lidhje të ngushta që datojnë që nga epoka sovjetike.

Perëndimi, dhe veçanërisht SHBA, po përpiqen të forcojnë lidhjet me Indinë si një kundërpeshë e mundshme për një Kinë në rritje në rajon.

Por Nju Delhi dhe Perëndimi kanë mbajtur një qëndrim të ndryshëm për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Departamenti i Shtetit i shprehu dje shqetësimin e tij Indisë për marrëdhëniet e saj me Rusinë.

India ka shmangur kritikat ndaj Rusisë dhe ka rritur blerjet e naftës së lirë ruse në nivele rekord./vizionplus.tv

Read Entire Article