“Albin Kurti ka filluar t’i mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve.
Më herët, Policia e Kosovës tha se, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e zhvilloi një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.
“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”, tha Policia.
Po këtë vit, më herët, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Aksioni i së premtes në veri u ndërmor në një kohë kur Qeveria e Kosovës është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj “të njëanshme dhe pakoordinuara”, pasi muajin e kaluar mbylli disa degë të Postës së Serbisë në veri dhe tha se synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha një ditë më parë në Beograd se partnerët evropianë janë të shqetësuar me “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës – pa dallime.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.
Serbët lokalë – megjithëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore. /rel