Sipas të dhënave paraprake nga Agjencia Europiane për Ruajtjen e Kufijve, FRONTEX, numri i kalimeve të parregullta në kufirin e jashtëm të Bashkimit Europian arriti në vitin 2023 në rreth 380 mij[, i nxitur nga një rritje e mbërritjeve përmes rajonit të Mesdheut,
Kjo shënon nivelin më të lartë që nga viti 2016 dhe përbën një rritje prej 17% krahasuar me kalimet e parregullta të vitit 2022, duke treguar një tendencë të vazhdueshme rritëse gjatë tre viteve të fundit.
Siaps FRONTEX-it, Mesdheu Qendror ishte rruga më aktive e migracionit në Bashkimin Europian, duke llogaritur dy në çdo pesë kalime të parregullta.
Kjo rrugë përbëntë 41% të kalimeve në vitin 2023, e ndjekur nga Ballkani Perëndimor që përbënte 26% dhe Mesdheu Lindor që përbënte 16% të kalimeve.
Sirianët përbënin mbi 100 000 kalime të parregullta përgjatë vitit 2023, duke shëuar edhe numërin më të lartë midis të gjitha kombësive.
Ata u pasuan nga guineasit dhe afganët. Këto tre kombësitë kryesore përbënin mbi një të tretën e të gjitha kalimeve, thotë FRONTEX.
Të dhënat statistikore tregojnë se femrat përbënin 10% të numrit të përgjithshëm të të gjitha kalimeve të parregullta gjatë vitit 2023 dhe po kështu edhe fëmijët përbënin 10%.
“Numrat e paraqitur sot tregojnë sfidat në zhvillim me të cilat përballemi në menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europain ” tha përmes një deklarate Drejtori Ekzekutiv i FRONTEX, Hans Leijtens.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe integritetin e kufijve të BE-së. Është po aq e rëndësishme që të trajtohen aspektet humanitare të migrimit. Këto shifra përfaqësojnë jo vetëm statistika, por njerëz realë”, tha ai.
FRONTEX-i aktualisht ka 2 500 oficerë të rojeve kufitare të BE-së dhe staf tjetër që marrin pjesë në operacionet e saj të përbashkëta në kufijtë e Evropës, duke mbështetur shtetet anëtare të Bashkimit Europain dhe vendet e treta në menaxhimin e flukseve migratore dhe duke kontribuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve ndërkufitare, të tilla si kontrabanda e migrantëve, trafikimi në qeniet njerëzore dhe terrorizmi.
Shqipëria si pjesë e rrugës ballkanike dhe prurjet migratore gjatë vitti 2023
Shqipëria është pjesë e Rrugës së Ballkanit Perëndimor ku migrantët e parregullt që hyjnë nga kufiri jugor dhe juglindor shqiptar me Greqinë kalojnë tranzit për të udhëtuar nga zonat veriore në drejtim të Malit të Zi apo Kosovës me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Prurjet migratore në Shqipëri u lidhën ngushtësisht gjatë vitit 2023 me situatën në kampet greke të migrantëve, me ritmin e hyrjes së migrantëve të parregullt në Greqi, kryesisht nga kufiri turk por edhe me aktivitetin e rrjeteve rajonale apo kombëtare të kontrabandimit të migrantëve.
Rreth 9 mijë migrantë të huaj të parregullt sipas të dhënave pararake u evidentuan në brendësi të territorit shqiptar, ku pjesa më e madhe e të cilëve kanë hyrë nga Greqia në pikën e Qafë Botës në Sarandë.
Autoritetet shqiptare firmosën mesin e këtij viti një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX-in që synon të sigurojë shkëmbimin e informacionit ndërmjet agjencisë europiane policore të ruajtjes së kufijve dhe autoriteteve shqiptare në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave themelore në aktivitetet operacionale të Frontex në territorin e Shqipërisë.
Si FRONTEX-i ashtu edhe autoritetet shqiptare kanë mekanizma të pavarur ankesash në fuqi dhe marrëveshja ndërton një urë lidhëse mes tyre.
FRONTEX-i nisi operacionin e përbashkët në Shqipëri, operacionin e parë të agjencisë në Ballkanin Perëndimor, në maj 2019. Aktualisht janë 162 oficerë evropianë të rojeve kufitare që punojnë së bashku me Policinë Kufitare Shqiptare.
Autoritet kufitare shqiptare hapën në vitin 2023 në skajin më jugor të Shqipërisë në Qafë Botë të Sarandës një Qendër për Strehimin e Përkohshëm për migrantët e parregullt.
Qendra u ngrit falë mbështetjes së Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin IOM dhe ofron shërbime për grupet e migrantëve të parregullt deri në procesin e kthimit pas drejt kufirit grek apo referimit për azil. /VOA