Kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e dytë dhe janë shpallur fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit me dokumentacionin e nevojshëm pranë sekretarive mësimore në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet. Pas vendeve të mbetura bosh nga raundi i parë, nga data 28 shtator deri më datë 7 tetor të gjithë kandidatët kanë në dispozion 5 faza 48 orëshe, për kuotat e mbetura të paplotësuara për çdo program studimi.
Secili kandidat ndjek ecurinë e procesit të shpalljes fitues të tij në një apo disa programe studimi nga ato që ka përzgjedhur në formularin e aplikimit. Kandidati i shpallur fitues, duhet të paraqitet në IAL-në ku dëshiron të regjistrohet, brenda afatit 48-orësh.
Nëse nuk regjistrohet brenda afatit, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në atë program studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë.
Sipas të dhënave nga Rrjeti akademik Shqiptar, degët që janë ezauruar 100 përqind në Tiranë janë Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia dhe Farmacia. Edhe fakulteti i Arkitekturës nuk ka më asnjë vend të mbetur bosh.
Nëse do të ketë të penduar për fakultetin ku janë regjistruar, mundësia e fundit e ç’regjistrimit do të jetë nga 8-9 tetor dhe një fazë e lirë do të hapet nga 10-25 tetor për të gjitha fakultetet ku kanë mbetur kuota të paplotësuara.
Këtë vit, programet 2-vjeçare patën një numër në rritje të aplikimeve, krahasuar me një vit më parë, ku u regjistruan edhe maturantë mbi mesataren 6.5.
DOKUMENTAT E NEVOJSHME PËR REGJISTRIMIN NË UNIVERSITET.
1- Kopje e dokumentit të identifikimit
2-Kopje të njehsuar me origjinalin të diplomës së maturës shtetërore/dëftesës së pjekurisë ose të një diplome studimi të fituar jashtë vendit dhe të njehsuar nga QSHA, së bashku me certifikatën përkatëse të notave
3-Deklaratën e paraqitur e cila plotësohet nga kandidati në prani të punonjësit të sekretarisë mësimore të IAL-së dhe që nënshkruhet prej tyre
4-Formulari i aplikimit
5-Pagesa e tarifës së regjistrimit
Nga ana tjetër tre degët e shpallura me interes kombëtar janë matematikë, Fizikë dhe Kimi në Fakultetin e Shkencave. Ata të cilët kanë zgjedhur secilin prej këtyre programeve të studimit përfitojnë bursa sa paga minimale.