Qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët në Kaliforninë veriore për të shuar zjarrin e pyjeve që ka detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Zjarri po vazhdon jashtë kontrollit, pasi deri më tani ka djegur mijëra hektarë pyje dhe kullota pranë Oroville, ku autoritetet kanë kërkuar nga rreth 13,000 banorë që të evakuojnë zonën.
Fronti i zjarrit ndodhet disa dhjetëra kilometra larg Parajsës, një zonë e prekur në vitin 2018 nga zjarri më vdekjeprurës në Kaliforni, me numrin zyrtar në atë kohë që arrinte në 85 të vdekur.
Rreth 400 zjarrfikës janë duke luftuar me flakët, me ndihmën e avionëve dhe helikopterëve. Për shkak të thatësirës, bimësia bëhet lëndë djegëse për flakët, të cilat përhapen shpejt kur fryjnë erëra të forta, tha Shefi i Zjarrfikësve të Qarkut Butte, Garrett Solud.
Nga ana e tij, Sherifi Cory Honey jep alarmin për fishekzjarrët që përdoren për të festuar 4 korrikun (e njohur ndryshe si Dita e Pavarësisë në SHBA).
E gjithë kjo ndërkohë që një valë të nxehti po përfshin rajonin më të gjerë, me termometrin që parashikohet të rritet në 46 gradë Celsius në 24 orët e ardhshme.
“Ne jemi në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme përpara një vale të nxehtit potencialisht të zgjatur, historike dhe potencialisht vdekjeprurëse”, paralajmëron Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA. /vizionplus.tv