S’ka vit zero për Shqipërinë

10 months ago 22

Parlamenti antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Ky vendim jo vetëm që nuk do ta shkatërrojë opozitën, por do ta mobilizojë atë në shkallën më të lartë . Me moton: ‘o sot o kurrë’ opozita do t’i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi.

Kështu tha Sali Berisha, ish -Kryeministri dhe ish -Presidenti i vendit për disa kohë, lideri historik i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, teksa iu bashkua protestës së paralajmëruar të mbështetësve të tij jashtë Parlamentit.

Kjo qe dhe fjala e tij e fundit pak çaste pasi ju hoq imuniteti.

Po për cilën opozitë thërriste ai në dëshpërim?

Fytyra që i dha shpresë dhe besim shqiptarëve për një ëndërr. Ëndrrën për lirinë.

Ëndrrën për t’i riparë njerëzit e tyre të çliruar prej prangave të agjitacion e propagandës. Ëndrrës për dashurinë dhe dhembshurinë.

Ishin vitet ’90.

Po, po ato vite që ne nuk rreshtim së referuari si Viti Zero për Shqipërinë dhe shqiptarët që dikush e pati shansin ta cojë më tej. Por nuk ja doli dot.

E njëri prej tyre ishte dhe doktori ynë i zemrës, njëriu që këlthiste me aq bindje; Shqipëria, E Bukura e Dheut!

Ku mbet ajo?

Historia e sistemit politik në Shqipëri kur lexon faqet e saj shfaqet në formën e një pikëpyetje dramatike: A ka pasur, kur ka pasur dhe sa ka pasur opozitë dhe opozitarizëm në këtë vend?

Balanca e bukur e botës natyrore dhe njerëzore është rregulluar në mënyrë të përpiktë prej opozicionit. Ka ditë dhe natë, ka dimër dhe verë, ka jug e veri, ka zonja dhe zotërinj, ka qeverisës e të qeverisur, ka pushtet dhe opozitë. Kur këto antinomi janë çekuilibruar, edhe ekosistemet natyrorë por dhe jeta sociale d.th., se nuk kanë shkuar mbarë.

Por ne duhet ta pranojmë se në Shqipëri opozitarizmi nuk ka traditë. Formalisht e juridikisht ka pasur opozitë vetëm në vitet 1920-1923, që përbëjnë një prej periudhave më të ndritura të parlamentarizmit shqiptar.

F. Noli nuk arriti të zhvillonte zgjedhje dhe të krijonte parlament, me apo pa opozitë. A. Zogu, gjithashtu, nuk lejoi opozitë. Ai qeverisi pa atë.

Në vitin 1945-1946 një grupim i vogël liberal-demokratësh e liberal-komunistësh u përpoq të luante rolin e opozitës, por “grupi i deputetëve” përfundoi në litar. E. Hoxha qeverisi me dorë të fortë pa i shkuar kurrë në mendje për të drejtën e alternativës politike. Dhe kështu në afro një shekull jetë, Shqipëria është qeverisur me opozitë vetëm 30- 33 vjet.

E kjo është shumë pak për historinë politike të një vendi. Dhe ndoshta çelësi i gjithë çrregullimeve historike katastrofale të tij.

Tani opozita është e lejuar por a ka në të vërtetë opozitë në këtë vend? Domethënë, a është gjysma tjetër e pushtetit, ajo që kontrollon politikisht veprimtarinë e qeverisë dhe nuk lejon shmangien prej vullnetit politik të qytetarëve?

Megjithatë, me apo pa opozitë, shteti shqiptar u ka mbijetuar përplasjeve të historisë. Ekuilibri social-politik i tij është rregulluar jo nëpërmjet antinomisë “pushtet – opozitë” por përmes faktorit “luftë politike”.

Po, dhe me të Shqipëria mund të mburret që c’ke me të. Qeveria e Vlorës kundër qeverisë së Durrësit. Esad pasha kundër I. Qemalit. Grindje ndërqytetare për kryeqytetin. Edhe Shijaku ka pretenduar të jetë kryeqyteti i Shqipërisë. Anadollakët kundër oksidentalistëve. Opinga kundër bejlerëve. As e pashës, as e mbretit. Atentate politike në selinë e parlamentit, në rrugët e sheshet e Tiranës, në mes të Parisit a të Vienës.

Pushka e shqiptarit i ka larë mirë hesapet politike sa here dikujt i është dashur. Lufta politike ishte “forca lëvizëse” e qeverisjes komuniste.

Në fundin e viteve 1990 njerëzve u lindi shpresa se Shqipëria po hynte në rrugën e zhvillimit normal politik. Ndaj dhe besoi. Besoi dhe u gënjye.

Sepse stina e mendimit opozitar mbeti një përpjekje e paarrirë për të tejkaluar format e vjetra të marrjes dhe dëbimit nga pushteti. Një përpjekje e paarrirë, sepse koha provoi që kjo stinë nuk u kthye dot në një prirje zhvillimi shoqëror e politik. Ajo nuk iu imponua dot partive që funksiononin e vazhdojnë të funksionojnë si kështjella të kryetarëve dhe të autokracisë.

Që këtej nisi jo një garë por një luftë politike. Jo më kot fushatat e zgjedhjeve janë shembulli më i mirë i kësaj beteje.

Ndaj sot ky vend është përgjysmuar. Është braktisur pikërisht për shkak të kësaj gënjeshtre. Për shkak të këtij atentati që ju bë në moral dhe në zemër.

Dhe ne mbetëm po tek ai vit. Në vitin Zero.

Kush thotë se ka nisur një Vit Zero për Shqipërinë, mos e besoni. Ne aty kemi qenë dëshpërimisht.

Koha, nuk eci për ne fatkeqësisht.

Top Channel

Read Entire Article