Agjenica e Mbikëqyrjes Policore, AMP, ka pezulluar nga detyra dy punonjës të Policisë Rrugore për shpërdorim detyre.
Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj, mëson se bëhet fjalë për Arta Shurbi dhe Zyber Halili.
AMP pas hetimeve ka vendosur masën e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit” për Arta Shurbin, 50 vjeçe, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu ka vendosur masën e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për Zyber Halilin, 57 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata ka vendosur “Hetim në gjendje të lirë” për shtetasen Denisa Gerdeci, 32 vjeçe, e dyshuar për kryerjen e veprës penale ”Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.
Punonjësit e policisë dyshohet se nuk kanë kryer veprimet e duhura proceduriale në përputhje me Kodin Rrugor, për trajtimin e një aksidenti në aksin rrugor Karreç – Tiranë, të ndodhur në korrik 2023. Nga hetimet e kryera rezulton se edhe pse kanë marrë dijeni për ngjarjen, ata kanë fshehur provat e faktet penale për aksidentin, duke mos marrë masa për përcaktimin e fajësisë, për të shmangur shkelësin nga përgjegjësia penale dhe administrative./vizionplus.tv