Shtëpi për turizëm, por me taksë, strukturat do të paguajnë 2 mijë lekë për çdo shtrat

2 hours ago 1

Qeveria po planifikon të zbatojë një taksë të re në industrinë e turizmit, konkretisht në ato njësi akomodimi që jepen me qira afatshkurtër në platformat online. Qëllimi është formalizmi i tregut.

“Si fillim, për identifikimin, por edhe për përqafimin e kësaj nisme, taksa të jetë minimale në vitin fillestar, në vlerën 20 mijë lekë të vjetra për shtretër, e cila më pas do të analizohet në vitet e tjera nëse do të jetë në rritje apo në këtë mesatare. Ne vumë re në analizat e viteve të kaluara që një pjesë e turistëve nuk kanë qenë detyrimisht në hotele, por edhe në strukturat e gjetura në Airbnb dhe Booking. Si çdo subjekt tjetër tregtar, edhe këto subjekte duhet të paguajnë dhe të identifikohen si të tilla”, thotë Herida Duro, drejtore te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Në struktura do të jetë i instaluar edhe një sistem elektronik, për të regjistruar çdo turist që qëndron në Shqipëri.

“Një sfidë e mëtejshme për Shqipërinë është ajo e statistikave, një sistem që mbledh dhe organizon të dhënat e sistemit të turizmit. Sistemi instalohet në çdo strukturë akomoduese që quhet e-visitor. e-visitor të kërkon që të gjithë ata që ofrojnë këtë shërbim të pasqyrojnë vcizitorët, t’i regjistrojnë, nga vendet ku vijnë, sa ditë do të qëndrojnë, ky do të jetë një detyrim. Edhe kontrollet e herëpashershme do të jenë prezente dhe do të merren edhe masa administrative”, shpjegon ajo.

Në strategjinë e hartuar nga ministria është parashikuar mes të tjerash edhe ndarja e Shqipërisë në 6 klastera turistikë.

“Është një model dhe menaxhim i ri i destinacioneve, në bazë të veçorive që kanë, atraksioneve që kanë. I forcon shumë më tepër ata si rajone turistike, si do të zhvillojnë strategjitë e tyre, do të jetë një ofertë magnetike në nivel rajonal turistik brenda Shqipërisë. Do të forcojë produktin e diversifikuar”, shprehet Duro.

Përmes kësaj strategjie, qeveria synon turizëm më të qëndrueshëm, në kohë dhe në territor, me turistë që shpenzojnë të ardhura në vendin tonë. /vizionplus.tv

Read Entire Article